Futboll

Zeqiri mund të kthehet në Bundesligë

Andi Zeqiri

Andi Zeqiri mund të kthehet në Bundesligën gjermane, por tani te Borussia Monchengladbachu, kanë raportuar të premten mediumet belge.

Zeqiri në gusht të vitit 2021 i ishte bashkuar Augsburgut të Bundesligës në huazim, ndërsa kishte qëndruar për një edicion. Ishte huazuar nga Brightoni i Premier Leagues.

Në Bundesligë, sulmuesi 25-vjeçar i kishte realizuar dy gola e dy asistime për Augsburgun në 22 paraqitje.

Aktualisht bën karrierë te Standard Liege si i huazuar nga Genku. Ai me Genkun ka kontratë deri në vitin 2026, ndërsa deri në fund të edicionit do të jetë te Standardi.

Por në afatin kalimtar të verës, Zeqiri mund të kthehet në elitën gjermane, pas interesimit të Borussia Monchengladbachut.

Mediumi “SFM Football” në Belgjikë ka shkruar se për Zeqirin, që ka 16 paraqitje e një gol të shënuar për Zvicrën, janë interesuar edhe dy klube të elitës së futbollit në Arabinë Saudite.

Zeqiri në Belgjikë këtë edicion i ka 28 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa ka kontribuuar me dhjetë gola e katër asistime.

Aktualisht është i lënduar në nyjën e këmbës dhe nuk ka luajtur në katër ndeshjet e fundit. Paraqitjen e fundit e pati ndaj Charleroit më 6 prill.