Futboll

Yamal flet për mundësinë e transferimit te Real Madridi

Lamine Yamal

Talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, në një intervistë, të hënën, për “Cadena Cope”, është pyetur nëse do të luante për Real Madridin në të ardhmen. Përgjigjja e spanjollit Yamal ishte e shpejtë.

“Jo, e pamundur”, u shpreh shkurt sulmuesi i krahut.

17-vjeçari Yamal ka folur, po ashtu, edhe për “Topin e Artë”. Ai është prej kandidatëve potencialë për ta fituar “Topin e Artë”. Megjithatë, Yamal tha se nuk është duke e menduar “Topin e Artë”.

“Nuk mendoj për ‘Topin e Artë”. Do të shkojë keq nëse filloj të mendoj se duhet ta fitoj ‘Topin e Artë’. Përqendrohem te loja, te fitoret dhe nëse ndodh, do të ndodhë. Nëse vitin tjetër e fitoj Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës, atëherë ndoshta do të vijë edhe ‘Topi i Artë’”, ka thënë Yamal.

Yamali javën e kaluar e vazhdoi kontratën me Barcelonën deri në verën e vitit 2031.

Ai luajti rol kyç në suksesin e Barcelonës. Me Barçën fitoi Superkupën e Spanjës, Kupën e Mbretit dhe titullin. Ai konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në botë.