Kur kampanja e zgjedhjeve futet në fazën vendimtare, kandidatët shfaqen, si në sport ashtu edhe në politikë.
Disa javë para ceremonisë së Topit të Artë, Lamine Yamal po bënë përpjekje për ta shtyrë veten para, ndonëse periudha e vlerësimit sportiv ka përfunduar.
Në fitoren 4:2 të Barcelonës ndaj Levantes, 19-vjeçari ka shënuar dy gola. Nga dy gola i ka në tri ndeshjet e fundit kampionale të Barçës. E kishte edhe një gol e dy asistime në fitoren 5:1 ndaj Feyenoordit në Champions.
Supertalenti spanjoll i ka pasuar veprimet e tij me fjalët për Topin e Artë.
“Mendoj se e meritoj këtë vit për shkak të arriturave të mia”, ka thënë Yamal në një intervistë për “MovistarPlus”.
Ceremonia e Topit të Artë mbahet më 26 tetor. Bëhet fjalë për çmimin më të njohur individual në sport, që i ndahet futbollistit më të mirë të vitit.
Yamali e sheh Kylian Mbappen e Real Madridit si rivalin më të madh.
“Kujt do t’ia jepja? Lojtarit më të mirë në botë. Kujt do t’ia japin ata? Është diskutim i gjatë. Jam i bindur se ne të dy jemi më të mirët në botë”, ka vazhduar Yamal.
“Për mua kjo është e qartë dhe secili që e përcjell sportin e di këtë”.
Para ndeshjes në Ligën e Kampionëve ndaj Interit, Mbappe po ashtu e bëri të qartë ambicien e tij.
“Kur luani për Real Madridin, ju automatikisht jeni të lidhur me këtë çmim”, kishte thënë Mbappe, duke kujtuar që u bë golashënuesi më i mirë në histori të Kupës së Botës vetëm disa javë më parë.
“Kam bërë histori këtë verë, por do të shohim. Është vit i mirë për këtë dhe njerëzit duhet të votojnë”, ka shtuar francezi, që po ashtu ka nisur shkëlqyeshëm edicionin e ri duke i realizuar shtatë gola në gjashtë ndeshje garuese.
Në një intervistë për “France Football”, Mbappe tha: “Për kë do të votoj? Për veten”.
Ndonëse e fitoi Kupën e Botës me Spanjën, Yamali e shikon prapa Botërorin me ndjenja të përziera.
“Pasi e fitova Kupën e Botës, nuk isha i kënaqur. Kam bërë shumë gjëra që njerëzit nuk i kanë parë. Për trajnerin është e jashtëzakonshme të ketë një lojtar që mund të kujdeset për tre kundërshtarë, por unë nuk isha i lumtur për veten pasi një lojtar tjetër i kalibrit tim do të kishte Botëror të shkëlqyer”.
Yamali dhe Mbappe nuk janë kandidatët e vetëm seriozë për Topin e Artë. Votimi pritet të jetë interesant si asnjëherë më parë.