Riola Xhemaili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2028 me skuadrën holandeze, PSV Eindhoven. Futbollistja e Zvicrës luajti si huazim tek Eindhoveni sezonin e kaluar. Ajo ishte huazuar nga Wolfsburgu i Gjermanisë. Por ekipi gjerman vendosi ta shesë kartonin e Xhemailit. 22-vjeçarja ishte një nga lojtaret më të mirë. Luajti të gjitha ndeshjet e edicionit të kaluar nga minuta e parë. Shënoi 14 gola dhe asistoi gjashtë herë në 26 ndeshje për PSV-në.
“PSV-ja u bë shpejtë si shtëpi për mua. Kjo për shkak të njerëzve brenda klubit, ambienteve, por edhe për shkak të qytetit dhe vendit. Pas disa muajsh e kuptova se dua të luaj përsëri këtu vitin tjetër. Kështu që nuk do të jetë surprizë për shoqet e mia të ekipit që tani do të qëndroj përgjithmonë. Jam jashtëzakonisht e lumtur që gjithçka”, ka thënë Xhemaili për faqen e klubit holandez. “Sezoni i kaluar ishte plot emocione. Ne luajtëm fort dhe fituam Kupën. Kemi cilësi dhe jemi të uritura për më shumë. Ne synojmë të fitojmë titullin dhe të paraqitemi në Ligën e Kampionëve për futbolliste”.
Xhemaili është përfshirë në ekipin e Zvicrës për Kampionatin Evropian. Zvicra është nikoqire e Evropianit të futbollisteve që mbahet nga 2 deri më 27 korrik.
Ajo vlerësohet si një nga talentet më të mëdha në Zvicër. Për ekipin e parë të Baselit kishte debutuar si 15-vjeçare. Dy vjet më vonë edhe për ekipin A të Zvicrës. Pas arritjeve te Baseli dhe Zvicra, Xhemaili bëri hapin e parë të madh në karrierë. U transferua te Freiburgu. Pas dy sezonesh, Xhemaili u transferua te Wolfsburgu. Në vitin 2023 me Wolfsburgun u paraqit në finale të Ligës së Kampionëve.