Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Vlerësimi i veçantë i mediumit të afërt me Juven për Zhegrovën: Goditje gjeniale

Edon Zhegrova

Paraqitja e Edon Zhegrovës të mërkurën mbrëma ndaj Galatasarayt është vlerësuar në superlativ nga mediumi i afërt me Juventusin, “Tutto Sport”. Vlerësimet e këtij mediumi kanë goxha peshë kur bëhet fjalë për Juventusin dhe kjo jep shpresë që Zhegrova megjithatë ka të ardhme te gjiganti italian.

Juventusi u eliminua nga Galatasaray në plejofin e fazës nokaut të Championsit. Megjithatë Zhegrova, që u aktivizua si zëvendësues, bëri pasimin dhe krosimin që sollën golin e dytë dhe të tretë të Juves dhe dërguan ndeshjen në vazhdime. Juventusi ishte me një lojtar më pak prej fillimit të pjesës së dytë dhe në vazhdime pranoi dy gola dhe u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 7:5. Në vazhdimin e parë kosovari lëshoi rast të artë, duke gjuajtur jashtë portës. Më pas një goditje të tij e ndali portieri turk. Kjo nuk ndikoi që vlerësimi për 26-vjeçarin të jetë shumë i mirë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Zhegrova – Boga, lëvizja e dyfishtë e Spallettit kundër Galatasarayt është goditje gjeniale”, shkruan në titullin e analizës së “Tutto Sport”.

“Kosovari humb rastin për epërsi 4:0, por performanca e shkëlqyer e tij mbetet. Portieri i klubit turk e ndal ish-lojtarin e Lille në sekondat e fundit”, është fjalia e parë e shkrimit.

Aktivizimin e Zhegrovës dhe Jeremie Bogas, mediumi italian ia numëroi si meritë intuistës së shkëlqyer të trajnerit Luciano Spalletti. Dhe dy zëvendësimet ishin të papritura.

“Duke filluar me Zhegrovën: në të djathtë ai u bë ‘çekiç’. Goli për 2:0 i Gattit mishëroi të gjitha cilësitë e tij të vlefshme: aftësinë për të mposhtur lojtarin kundërshtar, për të shërbyer bashkëlojtarët derisa është në vrapim. Galatasaray i lodhur dhe i frikësuar, nuk mund të gjente mënyrë për të zvogëluar kërcënimin. Dhe ai e shfrytëzoi këtë, duke i dhënë më në fund kuptim investimit të verës që deri më tani kishte qenë i pakuptueshëm. Në kohën shtesë ai humbi rastin për 4:0 – një njollë e pashlyeshme në fytyrën e tij, shtuar pritjen e Cakir te rezultati 3:1”, shkruan “Tutto Sport”.

Pak minuta pasi Zhegrova humbi rastin e artë, Galatasaray realizoi golin “fatal”.

“Zhegrova, çfarë gabimi. Por një performancë e shkëlqyer. Edhe në errësirën e zhgënjimit të madh, performanca mbetet: shpërthyese, madhështore, pikërisht ajo që i duhej për të rigjetur Juven. Për të pushtuar një mjedis që deri më tani ka parë vetëm cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Dëmi fizik që pësoi edicionin e kaluar pa dyshim ka ndikuar në qasjen e tij ndaj ‘Bianconerëve’, por kosovari tani shpreson që ta bindë Spalletin ta konsiderojë figurë qendrore në krahun e djathtë. Shenja e parë dhe e rëndësishme erdhi kundër Galatasarayt. Shumë më e dukshme se paraqitja e shkëlqyer në Pisa, kur i dha energji ekipit në pjesën e dytë”.

Në një tjetër shkrim, “Tutto Sport” e ka vlerësuar Zhegrovën “zëvendësim brilant”.

Ndonëse ka luajtur pak së fundi, në skenën më të madhe Edon Zhegrova ka dëshmuar se mund të jetë i vlefshëm për Juventusin.