Futboll

Vlerësime për e kundër lidhur me gjobat individuale për tifozët

Tifoz

Për sjelljet e tifozëve në tribuna klubet sportive në Kosovë përballen shpesh me gjoba. Në raste edhe me mbyllje të palestrave për shikuesit. 

Por jo vetëm klubet po gjobiten së fundi. Tashmë janë ndarë tri gjoba nga Policia e Kosovës edhe për tifozë. 

Një gjobë është shqiptuar për sharje, një për “stërpikje me birrë” dhe një për reagim. Të tre shikuesit janë gjobitur me nga 500 euro.

Tifo-grupi “Intelektualët”, që përkrah Dritën, e kishte cilësuar të paprecedentë dhe të patolerueshme gjobitjen me nga 500 euro të dy anëtarëve të këtij grupi.

“Keni parë ju që dikush dënohet në shifra 500 euro, vetëm se në momente pasioni dhe feste zgjedh të stërpikë me birrë shokët e vëllezërit e tij në tribunë?! As ne nuk e besonim se ka shkuar deri këtu pafytyrësia e uniformave policore, por ja që dje ishim dëshmitarë ku dy nga anëtarët tanë u dënuan me nga 500 euro. Njëri veç pse stërpiku me birrë e tjetri vetëm pse reagoi në momentet kur policët iu vërsulën anëtarit tonë”, shkruan ndër të tjera në reagimin e “Intelektualët 1998”. 

KOHA i është drejtuar me pyetje Policisë së Kosovës lidhur me këto gjoba. Por nuk ka marrë përgjigje.
Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive po ashtu nuk ka dhënë shpjegime.

“Lidhur me rastet e dënimeve në fjalë, ju lutemi që t’i drejtoheni Policisë së Kosovë”, shkruan në përgjigjen e Këshillit.

Nuk është përgjigjur as Federata e Futbollit e Kosovës. Njohuri se ka vendim për shqiptim të gjobave individuale për tifozë, nuk kanë as klubet e Superligës.

“Jemi befasuar të gjithë, natyrisht nëse e gjithë kjo është e vërtetë. Janë masat të cilat merren në raste të tilla, por maksimumi është largimi nga stadiumi, nëse veç është konsideruar se është bërë shkelje. Mirëpo gjoba financiare me atë shumë, është e tepruar”, ka thënë drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani.

Numri i shikuesve në xhirot e para të edicionit në futbollin kosovar ka qenë i kënaqshëm. Kthimi i tifozëve në tribuna ka gëzuar klubet dhe Federatën. 

“Kemi parë një kthim të publikut e natyrisht që rastet e tilla mund të ndikojnë në shikueshmëri. Veçanërisht rastet kur nuk është dëmtuar apo nuk është rrezikuar askush. Mendoj se veprimet e tilla së bashku me ndalesat e shitjes së alkoolit në stadiume janë unike në Evropë dhe me siguri që ndikojnë edhe ashtu në shikueshmërinë e dobët në stadiume”, është shprehur Osmani.
Në Federatën e Basketbollit e Kosovës përshëndesin veprimin e Policisë.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, thotë se zbatimi i përpiktë i Ligjit të Ri të Sportit si dhe ligjeve ekzistuese që rregullojnë luftimin e dukurive negative në sport, është lajm i mirë për gjithë komunitetin sportiv.

“Në basketboll, ne mirëpresim veprimet e tilla të organeve të rendit dhe do të qëndrojmë prapa çdo veprimi që garanton siguri të shtuar në palestrat tona, përvojë më të mirë për të gjithë spektatorët dhe akterët e lojës dhe garanci të ferplejit në terren. Të gjitha përgatitjet tona si federatë këtë verë, përshirë organizimin e shitjes së biletave për ndeshjet ProCrecdit Superligës ‘online’ dhe shtimit të mekanizmave të sigurisë në ndeshjet tona, i kanë shërbyer po këtij qëllimi”, ka thënë Fetahu.

Në basketboll, njëjtë si në futboll, ka skena të dhunës kohë pas kohe.