Trajneri i Interit, Cristian Chivu, e komentoi fitoren e “nerazzurrëve” ndaj Sassuolos.
Interi i dha fund ecurisë negative në kampionatin italian duke fituar të dielën ndaj Sassuolos me rezultatin 2:1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt.
Interi para fitores kishte dy humbje të njëpasnjëshme.
Tekniku rumun, Chivu, theksoi se skuadra kishte hapësirë që të shënonte më shumë gola por portieri i Sassuolos bëri ndërhyrje të rëndësishme në disa momente, duke e bërë fitoren më të vështirë.
Në portë te Sassuolo ishte reprezentuesi i Kosovës, Arijanet Muriq.
Portieri shtatlartë u vlerësua për paraqitjen ndaj nënkampionit italian.
“Mendoj se skuadra mund të bëjë më mirë, mund ta lëvizim topin më shpejt, të sulmojmë hapësirën më mirë, megjithëse padyshim që nuk është e lehtë. Ne treguam karakter, vendosmëri, qëndrimin e duhur dhe patëm edhe cilësi. Krijuam rastet për ta vulosur fitoren më herët, por portieri bëri shumë pritje të mira. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen më herët, por kishim përballë një portier që po kalonte një natë të jashtëzakonshme. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim sonte. E detyruam portierin e tyre të bënte disa pritje të mira dhe ai na pengoi të fitonim ndeshjen më herët, por jam i lumtur që vuajtëm dhe fituam”, ka thënë 44-vjeçari Chivu.