Futboll

Te Juve presin shumë nga dyshja David - Zhegrova

Edon Zhegrova

Asistim nga Edon Zhegrova, gol nga Jonathan David. 

Ky kombinim ka qenë i shpeshtë te Lille në tre vjetët e fundit. 

Dyshja e sulmit tani është së bashku te Juventusi. Zhegrova e David kanë luajtur në 94 ndeshje së bashku, prej vitit 2022 deri në vitin 2025. 

Nëntë herë e kanë gjetur rrugën e golit falë kontributit që kanë bërë për njëri-tjetrin. Edhe Juventusi është përballur me lidhjen e fortë të tyre, ka shkruar “Corriere dello sport” të mërkurën. 

Ka ndodhur më 5 nëntor të vitit të kaluar, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Ai ballafaqim u mbyll 1:1. 

Zhegrova, i cili kishte bërë lëvizje shumë të mira ndaj lojtarëve të Juventusit, e kishte dërguar topin te Davidi, duke e thyer mbrojtjen kundërshtare me pasim vertikal. Më pas sulmuesi kanadez e dërgoi topin në portën e Michele Di Gregorios. 

Tani formula magjike synohet të vihet në funksion edhe te skuadra “bardhezi”. Kjo është shpresa e trajnerit Igor Tudor dhe të gjithëve te Juventusi. 

Davidi debutoi me gol ndaj Parmas. Tani pritet edhe goli nga Zhegrova. 

Në Itali kanë shkruar se forma e Zhegrovës është duke u përmirësuar dita-ditës. Ai iu kthye ditëve normale në stërvitje pas një kohe shumë të gjatë pauze. Para debutimit me Juventusin ndaj Borussia Dortmundit në barazimin 4:4, loja e fundit e Zhegrovës ishte më 14 dhjetor të vitit të kaluar. 

Kosovari kishte lëndim në muskujt e pjesës së poshtme të barkut, ndërsa deri te lëndimi kishte kontribuuar me tetë gola e dy asistime në 21 paraqitje. 

Mediumi italian ka shkruar se forma fizike tani është dukshëm më e mirë, pasi Zhegrova ka stërvitur me dy trajnerë personalë. Dhe që në paraqitjen e parë, atë ndaj Dortmundit, pati ndikim në rezultat. Kur Zhegrova hyri në lojë, Juventusi ishte duke pësuar 4:2. Ndeshja u mbyll baras në fund. 

“Ishte një fillim i ri në çdo aspekt dhe nxori në pah aftësitë teknike të kosovarit. Edoni sjell shpejtësi, shkathtësi, driblime, asistime dhe gola, si dhe është kandidat për vend në formacionin 3-4-2-1 të Tudorit, bashkë me Yildizin”, ka shkruar “Corriere dello Sport” ndër të tjera. 

Juventusi ndeshjen e radhës në Serie A e luan në shtëpi ndaj Atalantas, të shtunën, nga ora 18:00.