Sulmuesi i PSG-së, Ousmane Dembele, është futbollisti më i mirë i edicionit 2024/2025 në Ligën e Kampionëve. Përzgjedhjen e më të mirit e bëri ekipi i ekspertëve të UEFA-s.
Më i miri është shpallur të dielën, një ditë pas finales. Kështu Dembele është edhe kandidat i fortë për Topin e Artë.
Dembele ka shkëlqyer gjatë gjithë edicionit, ndërsa u paraqit fuqishëm edhe në finale ndonëse nuk shënoi. PSG-ja fitoi 5:0 ndaj Interit, të dielën mbrëma në Munih.
Dembele luajti në 15 ndeshje në Champions, ndërsa i kaloi në fushë 1163 minuta. I realizoi tetë gola, ndërsa i bëri edhe gjashtë asistime. Ka vrapuar plot 126,1 kilpmetra. Shpejtësinë maksimale e kishte 33,92 kilometra në orë.
Edicionin e kaluar më i miri u shpall Vinicius Junior i Real Madridit. Para tij ishin Rodri i Manchester Cityt dhe Karim Benzema i Madridit.
“Përveç tetë golave, Dembele mori rolin e liderit te PSG. Kjo u pa edhe në finale, me mënyrën se si punoi aq shumë, duke bërë presion të vazhdueshëm për kundërshtarin”, kanë thënë nga paneli i vëzhguesve teknikë të UEFA-s. “Për më tepër, ai krijoi pasiguri te kundërshtari ndeshje pas ndeshjeje. Këtë e bëri me lëvizjet e tij të zgjuara. Është kthyer shumë prapa për t’i dhënë ekipit të tij epërsi në mesfushë”.
28-vjeçari ishte i shkëlqyer gjatë gjithë stinorit.
“Që kur isha shumë i vogël, që kur fillova të luaja futboll, kam ëndërruar të luaj në Ligën e Kampionëve, këtë garë të madhe. Ishte e pabesueshme të arrija në finale dhe është edhe më e pabesueshme që e kam fituar. Jam krenar për rrugëtimin që kemi bërë. Jam krenar për gjithçka që kam bërë gjatë karrierës sime për të arritur këtë rezultat. Është madhështore”, ka thënë Dembele për sajtin zyrtar të UEFA-s.
