Me golin e Antoine Griezmannit në fund të ndeshjes, Atletico Madridi shënoi fitore të dielën në mbrëmje ndaj Sevillas me rezultatin 4:3, në kuadër të xhiros së 16-të të La Ligas.
Francezi Griezmann është prej futbollistëve më të mirë në historinë e Atleticos.
Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, e ka vlerësuar shumë ndikimin e Griezmannit në skuadër. Ai ka thënë se Griezmann është futbollist që jep gjithçka nga vetja për Atleticon.
“Griezmann është një djalë që i ka dhënë absolutisht gjithçka Atletico Madridit.
Ai nuk po luante mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë mendoj se ai u përmirësua. Ne e duam shumë Griezmannin”, ka thënë Simeone, shkruan të hënën “Reuters”.
Tekniku argjentinas ishte i lumtur edhe me golin e brazilianit, Samuel Lino.
Lino po ashtu ishte realizator i një goli në fitoren ndaj Sevillas.
“Goli i Linos më bën të lumtur, sepse ai e ka kërkuar atë. Ai shënoi një gol të rëndësishëm dhe shpresoj se do t’i japë besimin që i nevojitet”, ka shtuar Simeone.
Atletico pas 16 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në elitën e futbollit spanjoll ka 35 pikë dhe është në vendin e tretë në tabelë.
Në Ligën e Kampionëve, Atletico është në pozitën e 15-të me nëntë pikë.