Sulmuesi i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, guxon të ëndërrojë për një finale përallore, pasi ekipi i tij eliminoi Barcelonën për t’u kthyer në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas nëntë vjetësh. Humbja 2:1 në shtëpi “i mjaftoi” skuadrës së Diego Simeones që me rezultatin e përgjithshëm 3:2 të avancoi në gjysmëfinale. Stadiumi “Metropolitano” ishte i zjarrtë në minutat e fundit të ndeshjes të së martës mbrëma.
Francezi Griezmann tashmë ka njoftuar se në fund të edicionit do të transferohet në Orlando City në SHBA. Ai kështu i jep fund një periudhe të mahnitshme në Madrid.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën në vitin 2018. Griezmann, së pari iu bashkua Atleticos nga Real Sociedadi që në vitin 2014. Kaloi te Barcelona në vitin 2019, por u kthye tri vite më pas. Dhe është prej figurave kryesore të projektit 15-vjeçar të trajnerit Simeone.
Shifrat flasin për ndikimin e tij – 211 gola dhe 97 asistime. Është golashënuesi më i mirë i Atleticos në histori.
Por trofetë mungojnë. Liga e Evropës në vitin 2018 është trofeu i vetëm i madh që 35-vjeçari ka fituar me “Colchoneros”. Dhe edicioni i fundit po duket rast i mirë për diçka të veçantë.
“Jam shumë i lumtur. Ishte brilante, por përballje e vështirë ndaj një top-ekipi që po luan shumë mirë. Kemi vuajtur, por sërish ia dolëm”, ka thënë Griezmann.
Edhe
Griezmann transferohet në MLS
Në Spanjë, lavdia për Atleticon mund të vijë që të shtunën kur luhet finalja e “Copa del Rey” ndaj Real Sociedadit. Është ish-klubi i Griezmannit. Atletico e kërkon trofeun e parë vendor që nga viti 2013 dhe po ashtu që t’i japë fund pritjes katërvjeçare për trofe.
“Do të jetë ndeshje e shkëlqyer, ndeshje e vështirë, kështu që duhet të pushojmë. Tani është koha të fillojmë të mendojmë për të shtunën. Çfarë ndjenjë e mirë”, ka theksuar Griezmann.
“Shpresoj se mund të ndihmoj bashkëlojtarët për të arritur diçka të bukur këtë edicion, diçka historike. Tifozët tanë e meritojnë. Pasi përfundoi ndeshja, kam qëndruar me ta në fushë për disa minuta dhe vetëm kam shijuar këngët dhe atmosferën, që ishte fantastike. Le të vazhdojmë”, ka thënë ylli i Atleticos.