Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Simeone ndihet krenar për ekipin e tij

Diego Simeone

Foto: Associated Press

Pas një tjetër eliminimi nga Liga e Kampionëve, trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, u paraqit me lojtarët e tij para tifozëve të ekipit. Ai bërtiti, ngriti duart dhe duartrokiti ndërsa tifozët e Atletics ofruan mbështetje për ekipin pavarësisht humbjes 1:0 në gjysmëfinale nga Arsenali. Humbja e së martës i dha fund shpresave të ekipit për ta fituar garën evropiane për herë të parë.

Por nuk kishte shumë dëshpërim te skuadra nga Madridi. Simeone tha se është krenar për arritjen në gjysmëfinale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Askush nuk ka pritur se do të jemi këtu”, tha Simeone. “Ne garuam me një ekip që kishte shumë forcë. Dhamë gjithçka dhe tani duhet të pranojmë vendin ku jemi. Jam mirënjohës ndaj tifozëve dhe lojtarëve tanë. Ndihem krenar që jam aty ku jam tani”.

Simeone nuk u ankua në gjyqtarët, pavarësisht situatave të diskutuara për dy penallti në të mirë të Atleticos në pjesën e dytë.

“Nëse jemi eliminuar atëherë kjo është për meritë të kundërshtarit që ka merituar të avancojë”, ka thënë Simeone. “Nëse më pyetni se si ndihem, ndihem i qetë dhe në paqe. Ekipi dha çdo gjë”, ka shtuar Simeone.

Atletico, që vlerësohet ekipi i tretë më i fortë në Spanjë, luajti në gjysmëfinale evropiane pas një dekade. Së fundi e kishte humbur finalen nga Real Madridi në vitin 2016.

Atletico e përfundon edicionin pa trofe. Në finale të Kupës së Mbretit u mposht nga Real Sociedadi, ndërsa në La Liga është në vendin e katërt.

“Ka pasur shumë shpresa për Kupë dhe në Ligën e Kampionëve”, ka thënë mesfushori Koke. “Nuk kishim vazhdimësi në ligë, nuk ishim në nivelin në të cilin është dashur të jemi. Por humbëm me penallti në Kupë dhe ishim afër të avancojmë në finale të Championsit. Ky grup është përmirësuar shumë dhe kemi lojtarë shumë të rinj që qartë se do ta ndihmojnë ekipin të luftojë për gjëra të mëdha në të ardhmen e afërt”, ka shtuar 34-vjeçari, e ardhmja e të cilit nuk është qartësuar.

Humbja nga Arsenali i ka dhënë fund shpresave të Antoine Griezmann për ta fituar Ligën e Kampionëve. Sulmuesi francez transferohet në MLS, te skuadra Orlando City pas këtij edicioni.

“Ai është lojtar i shkëlqyer”, ka thënë portieri Jan Oblak. “Jemi të dëshpëruar jo vetëm për të, por edhe për gjithë tifozët e Atleticos. Të gjithë kanë shpresuar të jemi në finale, kështu që është moment i vështirë”, ka shtuar Oblak.

Simeone ka lavdëruar Griezmannin dhe Koken.