Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Atletico e Arsenali vlerësojnë gjysmëfinalen, por duan finalen e madhe

Arsenal

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka hedhur poshtë zërat për presion të shtuar në përpjekjen e skuadrës për ta fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë. Simeone ka këmbëngulur se është përgjegjësi e jo barrë, ndërsa po e përgatit skuadrën për ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Arsenalit.

Ndeshja Atletico Madrid – Arsenal zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në “Metropolitano”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Atletico ka arritur në tri finale evropiane, dy prej tyre me Simeonen në krye, por asnjëherë nuk e ka fituar trofeun kryesor kontinental. Është skuadra e vetme që i ka humbur tri finale dhe nuk e ka fituar garën.

Në La Liga, këtë edicion Atletico nuk shfaqi shumë. Është në vendin e katërt, 25 pikë prapa Barcelonës. Atletico është jashtë garës në Spanjë që nga janari. Skuadra e Simeones po ashtu e humbi finalen e Kupës së Mbretit dhe e ka Championsin mundësinë e vetme për trofe.

“Nuk ka presion, ka dozë përgjegjësie dhe ndjenjë të veçantë pritjeje”, ka thënë Simeone në konferencë për shtyp, të martën.

Atletico e humbi një finale nga Bayerni në vitin 1974 dhe dy të tjera nga Real Madridi, në vitet 2014 e 2016.

“Është ndeshje futbolli dhe lojtarët janë ata që e vendosin rezultatin. Jemi përgatitur mirë. Duam ta luajmë ndeshjen që e kemi planifikuar dhe ta çojmë në fazën ku mund t’i shkaktojmë probleme Arsenalit”.

I pyetur nëse gara i detyrohej diçka Atleticos pas tri humbjeve në finale, Simeone tha: “Jemi të gjithë njerëz. Por një garë nuk i detyrohet asgjë askujt. Gjërat duhet të fitohen dhe të arrihen. Duhet të punosh shumë, të dalësh, t’i arrish ato dhe të shpresosh që fati të jetë me ty”, ka theksuar Simeone.

Ai pret që skuadra të luajë me intensitet dhe të ketë iniciativë sulmuese. Thotë se është mirë të ëndërrohet, por fusha tregon realitetin.

“Jemi në një tjetër gjysmëfinale. Është e jashtëzakonshme të arrijmë gjysmëfinalen e katërt brenda 14 vjetësh. Është e mahnitshme”, ka thënë Simeone.

Për dallim nga Atletico, Arsenali po zhvillon garë të fortë me Manchester Cityn për titull të kampionit në Angli. Madje “topçinjtë” kishin avantazh të madh, të cilin megjithatë e humbën në xhirot e fundit.

Londinezët kanë udhëtuar për në Madrid për të bërë hapin e parë drejt finales së Championsit.

Arsenali e ka vetëm një finale të luajtur deri më tani, atë të vitit 2006. Kishte pësuar nga Barcelona me rezultatin 2:1.

“Atletico është e fortë në të dy anët e fushës. Në të kundërtën nuk do të ishte këtu. Energjia që krijohet në stadium, mënyra se si beson skuadra, është shumë e rëndësishme. Por ne e kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar”, ka thënë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.

Arteta ka theksuar se është privilegj kualifikimi dy herë rresht në gjysmëfinale të Championsit. Ka thënë se këtë mundësi skuadra do ta rrëmbejë me dy duart.