Atletico Madrid - Manchester United dhe Galatasaray - Barcelonës janë ndeshjet kryesore të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Ndeshjet në Madrid dhe Stamboll luhen nga ora 21:00. Janë ndeshjet e para të Championsit pas pushimit të gjatë shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare.
Atletico Madrid humbi ndeshjen e parë kundër Liverpoolit në Anfield dhe tani pret një tjetër ekip të Premier League.
Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, foli në konferencë përpara ndeshjes kundër Manchester United.
“E dimë sa e vështirë është kjo garë. Ky format të detyron të përpiqesh të marrësh pikë pavarësisht nëse luan në shtëpi apo jashtë fushe, në ndeshjen e parë apo të fundit, dhe padyshim që ne kemi nevojë për pikë si të gjitha ekipet që duan të vazhdojnë në garë”, ka thënë Simeone. “Ata kanë lojtarë të shpejtë të cilët, pavarësisht rezultateve të tyre të fundit, ende kanë të njëjtin intensitet që treguan vitin e kaluar. Ata janë një ekip i fortë, por ne duhet ta çojmë ndeshjen aty ku besojmë se mund t’i sulmojmë”.
Julian Alvarez ende nuk ka shënuar që nga gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.
“Sulmuesit si Alvarez gjithmonë kanë nevojë për gola, dhe jo vetëm ai. Ai është një lojtar ekipi që mund të lidhet me shokët e skuadrës dhe të kombinohet mirë. Ai ka shumë më tepër mjete në dispozicion sesa thjesht shënimin e golave”, është shprehur Simeone.
Trajneri Michael Carrick, ka konfirmuar se Manchester United do të jetë pa Luke Shaw dhe Kobbie Mainoo për ndeshjen në “Metropolitano”.
“Ata nuk kanë udhëtuar, të dy patën probleme në ndeshje gjatë fundjavës, kështu që janë jashtë”, është shprehur Carrick.
Ai ka shtuar se për Unitedin është javë e madhe.
“Është një javë e madhe, dy ndeshje të vështira, por mezi i presim. Do të dalim duke luftuar”, është shprehur trajneri i Unitedit.
Carrick ka thurur lavde për Simeonen e Atlticos.
“Kam respekt të madh për trajnerin. Ndërtimi kërkon kohë, fakti që ai ka qenë këtu për kaq kohë të gjatë të bën të dallosh gjurmën e tij në këtë ekip. Ata janë vërtet të rrezikshëm. Është një provë e shkëlqyer për ne”, ka thënë Carrick.
Manchester United nuk po kalon momente pozitive. Në katër ndeshjet e fundit në Premier League ka tri barazime e një humbje.
Rivali i Unitedit në Madrid, Atletico ka seri prej katër fitoreve rresh në La liga. Por është pesë pikë prapa Barcelonës në garën për titull.
Barcelona po ashtu luan të martën. Në Stamboll do të përballet me Galatasarayn.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, tha se është “privilegj” që rivalët e konsiderojnë ekipin e tij një nga favoritët për të fituar Ligën e Kampionëve.
“Gjithmonë them se jam i kënaqur me mënyrën se si filluam, por çdo ndeshje është e ndryshme. Nesër do të jetë e vështirë. Është një privilegj të jem këtu, por në futboll gjërat mund të ndryshojnë. Jemi të gjithë gati për këtë ndeshje”, ka thënë Flick.
Ai ka folur edhe për atmosferën e zjarrtë që krijojnë shikuesit e Galatasarayt.
“Duhet të jemi të përgatitur për atmosferën. Është një nga më të mirat në botë. Është e pabesueshme. Tingulli i stadiumit është i mahnitshëm. Ata janë përmirësuar shumë kundër ekipeve të mëdha dhe ne duhet të qëndrojmë të bashkuar”, ka theksuar Flick.
Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, zbuloi planin e tij për ndeshjen ndaj Barcelonës.
“Nuk do të mbrohemi vetëm, por edhe do të sulmojmë. Duhet të mendojmë për të dyja. Kudo që të mbrohemi kundër kundërshtarit tonë, duhet ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Qoftë zona e tretë, zona e dytë apo zona e parë. Kudo që të jemi, duhet të ushtrojmë nivelin më të lartë të presionit. Kur kundërshtari ka topin, duhet të përpiqemi me pasion ta rifitojmë atë. Është shumë e rëndësishme që ta bëjmë këtë si ekip. Do të përballemi me një ekip që mund të ndëshkojë më lehtë nëse bën gabime”, ka thënë Burak.
Lens – Sporting dhe Sabah Baku – Slavia Praga janë ndeshjet e para të xhiros së dytë të Championsit. Luhen të martën nga ora 18:45.
Nga ora 21:00 janë edhe duelet: Arsenal – Lille, Inter – Club Brugge, Leipzig – PSV, Viking – Bayern dhe Villarreal – Napoli.