Ndonëse e fitoi titullin e kampionit në Premier League, Liverpooli vazhdon të shpenzojë miliona euro në përforcime për edicionin e ri. Të mërkurën “të kuqtë” siguruan shërbimet e sulmuesit francez, Hugo Ekitike, që u transferua nga Eintracht Frankfurti. Por ky mund të mos jetë transferimi i fundit për skuadrën e Arne Slot.
Ekitike është lojtari i radhës i transferuar nga Liverpooli për shifër të lartë. Më herët skuadra me nam ka transferuar Florian Wirtzin, Jeremie Frimpogun dhe Milos Kerkezin. Dhe tashmë ka shpenzuar plot 290 milionë euro.
23-vjeçari Ekitike është transferuar për 79,5 milionë euro, ndërsa ka firmosur për gjashtë vjet. Dëmshpërblimi për Ekitiken mund të rritet për 11.5 milionë euro të tjera.
Trajneri Arne Slot ishte i zënë gjithë verën për të forcuar ekipin që e fitoi, titullin e 20-të të Anglisë. Sidomos ka bërë përforcime për sulm.
Wirtz u transferua muajin e kaluar nga Bayer Leverkuseni për dëmshpërblim që mund të bëhet rekord britanik prej 133 milionë eurosh. Ai konsiderohet njëri prej talenteve më të mëdha në Evropë. Ekitike është tjetër lojtar që shkëlqeu në Gjermani, pasi u largua nga PSG-ja vitin e kaluar.
Ai i shënoi 22 gola në 48 paraqitje për Frankfurtin. Ky klub gjerman ka përfituar shumë nga francezi. E bleu vjet për 16 milionë euro.
Transferimi i Ekitikes u kompletua disa javë pasi sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota, vdiq në një aksident me veturë në Spanjë.
Ka pasiguri për të ardhmen e dy sulmuesve të tjerë, Darwin Nunez dhe Luis Diaz, që janë shënjestruar nga ekipe të tjera evropiane.
Klubi nga Merseyside nuk ka mbrojtur titullin në ligën angleze qëkur i fitoi tre rresht nga viti 1982 deri në vitin 1984. Pra, ishte periudhë pa nisur Premier League.
Liverpoolin e pret garën e fortë për titull nga skuadra si Manchester City, Arsenali dhe Chelsea, që po ashtu kanë shpenzuar shumë gjatë verës.
Tashmë është e qartë se Liverpooli synon të ndërtojë mbi suksesin që kishte në Premier League. Me fuqinë shpenzuese dhe atë joshëse, Liverpooli deri më tani nxori nga loja konkurrentë si Bayerni e Newcastle. Dhe me gjithë këto shpenzime, kënga e tifozëve të Liverpoolit “të kuqtë nuk kanë para, por prapë do ta fitojmë ligën”, më nuk është realitet.
Nuk ishte asnjëherë në fakt, shkruan “The Guardian” në një analizë të shpenzimeve të bëra nga Liverpooli.
Liverpooli ka bërë dy prej tri transferimeve më të mëdha në histori të klubit në pesë javët e fundit. Nuk ka telashe me financat e po ashtu me respektimin e rregullave të ferplejit financiar. Dhe po shquhet për disiplinën financare.
Së fundi shumë para Liverpooli kishte shpenzuar në verën e vitit 2023, kur rindërtoi mesfushën e Jurgen Kloppit me shpenzim prej 170 milionë eurosh. Një të tretën e kësaj shume e riktheu me shitjen e Fabinhos dhe Jordan Hendersonit në ligën arabe.
Nuk u shpenzua asnjë cent në afatet e janarit të vitit 2024 dhe 2025, ndërsa në verën e kaluar trajneri Slot shpenzoi vetëm 11,5 milionë euro për Federico Chiesan. Këtë shifër e fitoi nga shitja e Bobby Clark te Salzburgu. Ndërkohë fitoi afër 50 milionë euro nga shitja e Fabio Carvalhos dhe Sep van den Bergut te Brentfordi.
Ndonëse nuk shpenzoi shumë në tri afate rresht, klubi e fitoi titullin e 20-të në prill.
Për këtë vit të ardhurat financiare për herë të parë planifikohet të kalojnë 700 milionë funte (806 milionë euro). Liverpooli fitoi mbi 92 milionë euro nga kthimi në Ligën e Kampionëve dhe rreth 207 milionë euro nga fushata triumfuese në Premier League. Janë rritur edhe të hyrat nga ndeshjet dhe të hyrat komerciale.
Sa u takon lojtarëve, lëvizje të tjera priten. Priten largime dhe ardhje të reja. Liverpooli është duke u drejtuar mirë dhe nuk duket se do të ndalet.