Futboll

Rashica mund të kthehet në Gjermani

Milot Rashica

Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, mund të kthehet në Gjermani. Mediumi turk “Duhuliye” ka raportuar të dielën se për sulmuesin e Beshiktashit, Rashica, kanë shprehur interesim disa skuadra nga Bundesliga gjermane.

Nuk janë bërë të ditur emrat e klubeve që po e kërkojnë Rashicën. Rashica në elitën e futbollit gjerman luajti për tre vjet. Nga viti 2018 deri në vitin 2021 u paraqit për skuadrën e Werder Bremenit.

Për Rashicën kanë shprehur interesime edhe disa skuadra nga Turqia. Pjesë e Beshiktashit sulmuesi i krahut është nga viti 2023, kur u transferua nga Norwich City për pesë milionë euro. Rashica pos Beshiktashit në Turqi ka luajtur edhe për Galatasarayn.

Me Galatën fitoi titullin e kampionit në edicionin 2022/2023. Rashicës kontrata me Beshiktashin i përfundon në vitin 2027. 28-vjeçari Rashica në edicionin e kaluar në 41 ndeshjet e zhvilluara realizoi pesë gola dhe bëri 12 asistime.