Fisnik Asllani do të kthehet te Hoffenheimi pas dy vjetësh si i huazuar tek Austria Vjena dhe Elversbergu.
Futbollisti i talentuar shkëlqeu në sezonin e kaluar në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.
Sulmuesi i Kosovës e mbylli sezonin me Elversbergun me 18 gola të realizuar e nëntë asistime, që e bënë njërin prej lojtarëve më të mirë në Bundesliga 2.
Eleversbergu arriti deri në plejofin për promovim në Bundesligën gjermane, por nuk arriti të fitonte ndaj Heidenheimit.
Për shkak të formës së mirë që pati Asllani 22-vjeçar, interesimi për të është rritur goxha shumë në këtë afat kalimtar.
Hoffenheimi dëshiron që t’ia vazhdojë kontratën e cila skadon në vitin 2026 dhe planifikon ta mbajë atë në skuadër për kohë të gjatë.
Megjithatë, ka skuadra tjera të interesuara dhe i pari në listë është Werder Bremeni.
Werder Bremenin tani e drejton ish-trajneri i Elversbergut, Horst Steffen, që mund të luajë rol në transferimin e Asllanit.
Por te Hoffenheimi besojnë fuqishëm se Asllani do të mbetet pjesë e skuadrës për kohë të gjatë.
Kështu të paktën ka deklaruar drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker.
“Jemi në bisedime për vazhdimin e kontratës dhe ato po shkojnë mirë”, ka deklaruar 38-vjeçari Schicker për “Bildin” gjerman.
Asllani aktualisht është në pushime dhe pritet të kthehet në Gjermani më vonë gjatë kësaj jave, për t’i vazhduar bisedimet rreth kontratës së re.
Hoffenheimi shpreson që marrëveshja të arrihet shpejtë.
Hoffenheimi e mbylli sezonin e kaluar në Bundesligë në vendin e 15-të me 32 pikë, vetëm tri më shumë se pozita e 16-të që dërgonte në barazh, e që mbahej nga Heidenheimi.
Përveç Asllanit, te Hoffenheimi do të kthehet edhe 21-vjeçari Muhammed Damar, i cili po ashtu luajti me plot sukses tek Elversbergu.