Futboll

Ndeshja e veçantë e Fisnik Asllanit

Fisnik Asllani

Fisnik Asllani pati paraqitje mbresëlënëse në edicionin e kaluar me Elversbergun në Bundesliga 2.

Tek Elversbergu, skuadër me të cilën e mbylli edicionin e kaluar me 19 gola e 10 asistime në 37 paraqitje, luajti si i huazuar nga Hoffenheimi i Bundesligës.

Tani është kthyer te skuadra e tij dhe të shtunën do të ketë ndeshje të veçantë.

Në miqësoren që nis në orën 15:30, Asllani me Hoffenheimin do të luajë ndaj ish-shokëve të skuadrës, atyre të Elversbergut.

“Jam shumë i emocionuar. Është ndeshje e veçantë për mua pasi luaj ndaj Elversbergut. Është ndjenjë shumë e mirë që jam kthyer. Kam pasur vit të shkëlqyer tek Elversbergu dhe do të takojë sërish shumë shokë. Natyrisht, dua që ne ta fitojmë ndeshjen – si gjithmonë. Kam folur dhe kam shkruar me disa lojtarë. Edhe ata mezi presin të më takojnë. Do të jetë ndeshje e mirë. Do të kemi kohë të flasim pas ndeshjes me njëri-tjetrin, gjatë ndeshjes, por natyrisht fokusi do të jetë vetëm në lojë”, ka deklaruar Asllani të premten për faqen zyrtare të Hoffenheimit.

Për 22-vjeçarin u fol shumë se mund të largohet nga Hoffenheimi pas interesimit të disa skuadrave në Gjermani.

Por, ditë më parë ai vendosi ta vazhdojë kontratën me ekipin e elitës gjermane, deri në vitin 2029.

“Ekipi në Elversberg ndryshon çdo vit, por futbolli është kështu. Lojtarët e Elversbergut do të mundohen të na sulmojnë dhe të bëjnë presion. Por nuk është se nuk mund të bëjmë diçka, prandaj mezi pres të nis ndeshja. Ne duam që të luajmë mirë dhe ta shfaqim më të mirën”, është shprehur Asllani.

Asllani ka luajtur për grupmoshën U17 të Kosovës para se të paraqitej edhe për grupmoshat U18 dhe U20 të Gjermanisë.

Me Kosovën A debutoi në shtator të vitit të kaluar, ndërsa në total ka shtatë paraqitje.

Një gol e ka të shënuar ndaj Komoreve në miqësoren e fituar 4:2 në Prishtinë në muajin qershor.