Selektori i Senegalit në futboll, Pape Thiaw, u ka dalë në mbrojtje futbollistëve që vendosën të dalin nga fusha në finalen dramatike të Kupës së Kombeve të Afrikës ndaj Marokut. Ai ka thënë se ai vendim ishte emocional në një moment kaotik.
Të dielën e kaluar, lojtarët e Senegalit e lëshuan fushën kur u akordua penallti për Marokun në minutat shtesë, pak minuta pasi Senegalit iu anulua një gol që u vlerësua i rregullt.
“Nuk ka qenë kurrë qëllimi im që të shkoj kundër rregullave të lojës që e dua shumë. Kam provuar që t’i mbrojë lojtarët nga e padrejta. Ishte reagim emocional nga situata e krijuar. Pas asaj, ne vendosëm që ta vazhdojmë ndeshjen dhe të shkojmë për trofe”, ka shkruar selektori Thiaw në Instagram.
Sadio Mane kërkoi nga lojtarët të kthehen në fushë, ndërsa Brahim Diazi i Marokut më pas e humbi penalltinë. Në kohën shtesë, Senegali fitoi 1:0 dhe e fitoi trofeun për herë të dytë.