Lojtarët e ekipit triumfues të Senegalit u pritën si heronj gjatë paradës në kryeqytetin Dakar, të martën. Futbollistëve të Senegalit iu bë pritje e mahnitshme pas triumfit të tyre në Kupën e Afrikës. Në finalen e tensionuar, Senegali fitoi 1:0 ndaj Marokut, të dielën.
Lojtarët e Senegalit u larguan shkurtimisht nga fusha si shenjë proteste ndaj një vendimi për penallti në të mirë të Marokut në minutat shtesë.
Ekipi senegalez parakaloi nëpër Dakar, i vendosur në një autobus të hapur, të martën pasdite. Lojtarët janë përshëndetur nga tinguj të vuvuzelave, me bori të veturave dhe thirrje festive nga dhjetëra mijëra tifozë. Shumë prej tifozëve mbanin veshur fanella të Senegalit.
Lojtarët e ngritën me radhë trofeun dhe një flamur senegalez, duke duartrokitur dhe duke përshëndetur turmën.
Tifozët u ngjitën në tabela reklamash dhe mbi vetura për të parë kampionët kontinentalë. Ata përdorën çdo pikë vrojtimi për të parë yjet e futbollit.
Njëri prej tyre, Pape Lo, tha se udhëtoi 200 kilometra nga qyteti i Toubas për të nderuar futbollistët.
“Është dashur të jemi këtu me ta. Kam ardhur që të falënderoj lojtarët për titullin, që e vendos Senegalin në vend të rëndësishëm të futbollit botëror”, ka thënë ai.
Një tifoz tjetër, Marcel Ndecky, e ka vlerësuar suksesin si historik.
“Është titulli ynë i dytë, por të fitojmë në Marok është e veçantë. Ekipi luftoi me dinjitet për të fituar trofeun kontinental. E kanë merituar këtë respekt nga vendi ynë”.
Senegali e fitoi trofeun e parë të Kupës së Afrikës në vitin 2022, duke e mposhtur Egjiptin në penallti.
Për afaristin Ameth Mbaye, festa e së martës shkon përtej sportit.
“Ky entuziazëm tregon patriotizmin e vendit. Tregon po ashtu nevojën për të investuar më shumë në sport dhe reflekton përkushtimin e të rinjve të Senegalit”.
Lojtarët arritën në aeroportin ndërkombëtar në afërsi të Dakarit të martën paradite. U pritën nga presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, që vlerësoi paraqitjen e tyre.
“E kanë bërë këtë në mënyrë heroike. Kanë luajtur futboll të bukur, ishin jashtëzakonisht korrektë dhe ishin shembullorë brenda dhe jashtë fushës. Mund vetëm të jemi krenarë me ta”, ka thënë ai.
Në fakt ky vlerësohet edicioni më i mirë i Kupës së Afrikës. Por fundi ishte turpërues, pikërisht për shkak të veprimit të lojtarëve të Senegalit. Ata lëshuan fushën të pakënaqur me vendimin e arbitrit. Këtë ua kërkoi selektori. Por u kthyen më pas, kur Sadio Mane insistoi për këtë. Portieri i Senegalit priti penalltinë, ndërsa në vazhdime kjo përfaqësuese shënoi gol për fitoren e madhe.
Derisa loja ishte ndërprerë, tifozë senegalezë u përleshën me forcat e sigurisë, ndërsa tentuan të hyjnë në fushë.