Senegali e mposhti Marokun për ta fituar Kupën e Kombeve të Afrikës për herë të dytë. Por senegalezët siguruan suksesin vetëm pasi finalja u “errësua” kur ata refuzuan përkohësisht të vazhdojnë lojën, pasi Marokut nikoqir iu dha një penallti në minutat shtesë.
Gjyqtari Jean Jacques Ndala dha penallti në minutën e 98-të, pas ndërhyrjes së VAR-it. Gjyqtari vlerësoi se Brahim Diaz është penguar në mënyrë të palejuar në fushë nga El Hadji Malick Diof.
Mes skenave sensacionale, trajneri i Senegalit, Pape Thiaw, e largoi ekipin nga fusha. Ai ishte i zemëruar edhe nga një vendim i Ndalas, pak momente më parë, për të anuluar një gol të Senegalit.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Sadio Mane, qëndroi në fushë dhe u përpoq të inkurajonte shokët e tij të ekipit të Senegalit që ta përfundonin ndeshjen. Pas një ndërprerje prej rreth 17 minutave, lojtarët më në fund u kthyen në fushë.
Sulmuesi i Real Madridit, Diaz, golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola, mori përgjegjësinë që ta gjuajë penalltinë. Por goditja e tij e lehtë, me “Panenka”, u ndal pa problem nga portieri i Senegalit, Edouard Mendy. Ai nuk kishte nevojë të lëvizte nga vendi për të ndalur gjuajtjen e Diazit.
Menjëherë pas penalltisë, arbitri Ndala i dha fund ndeshjes. Rezultati mbeti 0:0 dhe fituesi do të caktohej në vazhdimet nga 15 minuta.
Mesfushori i Villarrealit, Pape Gueye, shënoi golin e fitores për Senegalin në minutën e katërt të vazhdimit të parë. Dhe vulosi triumfin e Senegalit në Kupën e Afrikës.
Trajneri i Marokut, Walid Regragui, tha se veprimet e Senegalit ishin të turpshme dhe nuk nderojnë Afrikën.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i dënoi ashpër “skenat e shëmtuara”.
Ndërkohë selektori i Senegalit, Thiaw, e anuloi konferencën për media pasi u bë një rrëmujë në sallën e mediave.
Për “BeIN Sport” ai pranoi se nuk duhej ta kishte urdhëruar ekipin që të largohej nga fusha.
“Ne nuk u pajtuam”, tha Thiaw. “Nuk dua të përmend të gjitha incidentet. I kërkoj falje futbollit. Pasi reflektova mbi këtë, i detyrova që të kthehen në fushë. Mund të reagosh në një moment të tillë tensioni. Ne i pranojmë gabimet e arbitrit. Nuk është dashur ta bëjmë atë, por u bë dhe tani i kërkojmë falje futbollit”.
44-vjeçari fillimisht ishte zemëruar me arbitrin Ndala për anulimin e golit të shënuar nga Ismaila Sarr. Goli i tij u anulua për faull të mëhershëm të Abdoulaye Sec ndaj Achraf Hakimit.
Dhe vendimi për penalltinë në të mirë të Marokut e bërë edhe më të tensionuar situatën. Disa nga lojtarët e Senegalit iu bindën kërkesës së selektorit për t’u larguar nga fusha, ndërsa disa nga tifozët senegalezë hodhën objekte të ndryshme dhe provuan të hyjnë në fushë.
Diaz, që u zëvendësua pas golit të Gueye, mbeti i mërzitur pasi Maroku humbi mundësinë për ta fituar titullin e parë të Afrikës që nga viti 1976.
Pas ndeshjes, Sadio Mane, tha: “Futbolli është diçka e veçantë. Bota po na shikonte, kështu që duhet të japim një imazh të mirë për futbollin. Mendoj se do të ishte çmenduri të mos e luanim këtë ndeshje, për shkak se arbitri dha penallti dhe ne dolëm nga fusha. Mendoj se kjo do të ishte gjëja më e keqe, veçanërisht për futbollin afrikan. Do të preferoja të humbja më shumë se të ndodhte kjo në futbollin tonë”.
Mane është prej futbollistëve më të mirë që ka pasur Afrika ndonjëherë.
“Mendoj se është vërtetë keq. Futbolli nuk duhet të ndalet për 10 minuta, por çka mund të bëjmë? Duhet ta pranojmë atë që bëmë, por e mira është që jemi kthyer dhe kemi luajtur ndeshjen. Ndodhi ajo që ndodhi”, ka shtuar Mane.
Ish-portieri i Chelseat, Mendy, i cili tani luan për Al-Ahlin në Arabi Saudite, këmbënguli se ishte krenar për mënyrën se si Senegali – i udhëzuar nga Mane – u kthye në fushë për të fituar titullin e dytë të Afrikës.
“Çka i thamë njëri-tjetrit? Kjo mbetet mes nesh”, tha Mendy. “E bëmë së bashku dhe u kthyem së bashku. Kjo është e gjitha që ka rëndësi. Mund të jemi krenar”.
Gueye shtoi: “Kishim një ndjenjë padrejtësie. Pak para penalltisë menduam se duhej të kishim gol të pranuar dhe gjyqtari nuk iu drejtua VAR-it. Sadio Mane na tha të kthehemi dhe ne u rimobilizuam. Mendy më pas bëri pritjen, ne qëndruam të fokusuar, shënuam golin dhe fituam ndeshjen”.
Por e gjithë ngjarja la shije shumë të keqe.
Presidenti i FIFA-s, Infantino, pasi uroi Senegalin për triumfin dhe Marokun për organizimin e ngjarjes, shkroi për incidentin e rëndë.
“Është e papranueshme të largohesh nga fusha e lojës në këtë mënyrë. Dhuna po ashtu nuk mund të tolerohet në sportin tonë. Thjeshtë nuk është e drejtë”, ka shkruar Infantino, duke shtuar se vendimet e gjyqtarëve duhet të respektohen gjithmonë. Sipas tij, nëse vendimet nuk respektohen, kjo e vë në rrezik thelbin e futbollit.
Infantino ka theksuar se ajo që ndodhi duhet të dënohet dhe mos të përsëritet kurrë. Ai vlerëson se është përgjegjësi e lojtarëve dhe ekipeve që të japin shembullin e duhur. I pari i futbollit botëror pret që Konfederata Afrikane e Futbollit të marr masat e duhura.
Konfederata Afrikane ka “dënuar fuqishëm çdo sjellje të papërshtatshme që ndodh gjatë ndeshjeve, sidomos ato që atakojnë ekipin e gjyqtarëve apo organizatorët e ndeshjeve”.
“CAF po shqyrton të gjitha pamjet filmike dhe do t’ua referojë çështjen organeve kompetente që të ndërmerren veprimet e duhura kundër fajtorëve”, shkruan në deklaratë.
Reagimet vazhdojnë të jenë të shumta për ngjarjen. Dhe të gjithë pajtohen që ishte një mënyrë e tmerrshme për të përfunduar një turne që u pa si reklamë shumë e mirë për futbollin afrikan në përgjithësi.