Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dënuar ashpër sjelljen e lojtarëve të përfaqësueses së Senegalit dhe anëtarëve të shtabit teknik gjatë finales së Kupës së Afrikës ndaj Marokut.
Senegali arriti ta fitojë Kupën e Afrikës duke e mposhtur Marokun 1:0, pas vazhdimeve. Por në minutat shtesë të kohës së rregullt u krijua një situatë e pazakontë.
Gjyqtari kryesor Jean-Jacques Ndaladha akordoi penallti për Marokun në minutat e fundit të ndeshjes. Vendimin e arbitrit nuk e pranuan lojtarët e Senegalit dhe shtabi teknik. Në shenjë revolte futbollistët, me kërkesë të trajnerit, lëshuan fushën. Por pas disa minutave, futbollistët u kthyen sërish në fushë. Gjatë kësaj kohe kishte edhe incidente të shumta në tribuna.
Infantino të hënën deklaroi se dhuna mes tifozëve dhe largimet nga fusha nuk kanë vend në futboll.
“Ne pamë skena të papranueshme në fushë dhe në tribuna. Ne dënojmë fuqishëm sjelljen e disa tifozëve, si dhe të disa lojtarëve senegalezë dhe anëtarëve të shtabit teknik. Është e papranueshme të largohesh nga fusha e lojës në atë mënyrë, dhe po ashtu dhuna nuk mund të tolerohet në sportin tonë. Thjesht nuk është e drejtë. Ne gjithmonë duhet të respektojmë vendimet e marra nga gjyqtarët e ndeshjes brenda dhe jashtë fushës së lojës. Ekipet duhet të garojnë në fushë dhe brenda rregullave të lojës”, ka thënë 55-vjeçari Infantino, shkruan “Reuters”.
Brahim Diaz humbi penalltinë për Marokun, duke dërguar ndeshjen në vazhdime.