Juventusi ishte duke udhëhequr 2:0 dhe thuajse kishte siguruar fitoren ndaj Udineses, kur Edon Zhegrova e fitoi rastin. Të martën mbrëma, Zhegrova luajti nga minuta e 84-t në fitoren 2:0 të Juves në një të tetën e finales së Kupës së Italisë.
Ndonëse sërish kishte hapësirë të kufizuar, Zhegrova sërish shkëlqeu. Dhe duket që ka bindur trajnerin Luciano Spalletti që t’i ofrojë më shumë minuta në ndeshjet e ardhshme.
Tekniku italian këtë e ka paralajmëruar në konferencën për shtyp pas ndeshjes. 26-vjeçari Zhegrova kishte një shpërthim drejt zonës së kundërshtarit që mori shumë vëmendje nga tifozët dhe njohësit e futbollit. Dribloi disa lojtarë kundërshtarë rrugës. Dhe në rrjetet sociale ka pasur shumë komente që Zhegrova meriton më shumë hapësirë te skuadra nga Torino.
Spalletti ka folur në frymë të njëjtë po ashtu.
“Faza e lojës pa top është menaxhuar po ashtu shumë mirë dhe më pas isha i lumtur me Zhegrovën, 10 apo 15 minutat e tij. Ai ishte jashtë për kohë të gjatë, me gjasë meriton më shumë hapësirë. Dy vrapimet që ai i bëri drejt zonës së penalltisë më kanë bërë të lumtur”, ka thënë Spalletti në konferencë për shtyp.
Më pas trajneri i Juventusit folur për anën kreative të yllit të Kosovës.
“Ai e ka konfirmuar kreativitetin e madh me topin në këmbë, vendosmërinë për të bërë çdo gjë. Është fitil i ndezur, mund të të frikësojë në çdo moment pasi mund të shpërthejë në çdo moment. Ai sheh hapësirë për të pasuar ku të tjerët shohin mur, ai pason përmes tij”, ka shtuar Spalleti.
Deri më tani Zhegrova ka shfrytëzuar maksimalisht pak minutat që i janë dhënë te Juve. Nuk ka startuar ende në asnjë ndeshje, nuk ka gola e asistime, por ka pasur veprime individuale që i siguruan shumë mbështetës.
Natyrisht postimet e Juventusit për Zhegrovën nuk ndalen. Një video duke firmosur fanella për tifozët e “çmendur” pas tij dhe duke bërë fotografi me ta, klubi i madh italian e ka publikuar edhe pas ndeshjes së zhvilluar të martën mbrëma.
Në fundjavë Juventusi luan në udhëtim te kampioni në fuqi i Italisë, Napoli. Ndoshta do të jetë ndeshja që do të “rezervojë” më shumë minuta për Zhegrovën e me shpresë edhe ndonjë gol apo asistim për të.
VIDEO:
Zhegrova 🫣#JuveUdinese pic.twitter.com/RhJN0aC4CP