Futboll

Spalletti tregon çka i pëlqeu dhe çka e nervozoi te Zhegrova

Edon Zhegrova

Edon Zhegrova e fitoi prej minutës së 72-të rastin në ndeshjen e Juventusit ndaj Sportingut, të zhvilluar të martën mbrëma. Pati disa momente të mira, por edhe disa momente jo shumë të mira. Rezultati nuk ndryshoi – mbeti ai 1:1 që ishte edhe para se të hynte sulmuesi kosovar.

Për 26-vjeçarin ishte paraqitja e parë që nga 13 tetori, kur luajti mbi 20 minuta për Kosovën ndaj Suedisë. Për Kosovën luajti pak minuta edhe më 10 tetor ndaj Sllovenisë, ndërsa ndeshjen e kaluar për Juven e kishte më 27 shtator, ndaj Atalantas.

Trajneri i ri i Juventusit, Luciano Spalletti, vendosi t’ia jap rastin në ndeshjen e xhiros së katërt të Championsit dhe ka parë gjëra shumë pozitive. Por edhe është nervozuar.

“Më duhet të vazhdoj ta shikojë atë. Ajo është pozita e tij. Ai kthehet në anën e majtë, e mposht mbrojtësin e tij. Mënyra e lojës i mundëson të shohë kundërshtarin në sy. E njihja tashmë Zhegrovën, por isha i impresionuar nga shpejtësia e tij. Është shumë i shpejtë në hapësira të ngushta. Është i ndjeshëm me topin”, ka thënë Spalletti.

Ky trajner e ka kërkuar Zhegrovën edhe sa ishte te Napoli.

Zhegrova nuk ka luajtur shumë për shkak të gjendjes jo të mirë fizike, që ia solli mungesa e gjatë. Ai ende nuk ka sanuar plotësisht një lëndim në ije, që e mundon për rreth një vit.

“Nuk ka 90 minuta të plota, por me stërvitje do të rritet dhe do të na ofrojë zgjidhje”, është optimist Spalleti.

Gjatë ndeshjes, Zhegrova i pati edhe disa pasime jo të sakta.

“U zemërova me të sepse e humbi një pasim për Davidin dhe ua dhamë kundërshtarëve topin disa herë. Por është një performancë shumë e mirë. Tifozëria ishte e përfshirë dhe të gjithë mund të ndienin ndikimin e ekipit”, ka shtuar Spalletti, që është i vetëdijshëm për cilësitë e Zhegrovës.

Mediumi i afërt me Juventusin, “Tuttosport” e ka vlerësuar Zhegrovën me notën gjashtë.

“Menjëherë Hjulmand ndëshkohet me karton të vedhë. Ka jetë tek ai, por është e qartë se i duhen disa minuta për t’u rikthyer në formë të plotë”, ka komentuar ky medium.