Pasi shënoi kundër Zurichut, qendërsulmuesi i cili u transferua nga Bellinzona para një muaji, e konfirmoi premtimin që e kishte dhënë gjatë fazës përgatitore. Ai tani është numri 1 në pozitën e tij te Sioni
Ai ishte i pari që e nisi rikthimin. Ai i cili e ndryshoi fatin e skuadrës që ishte afër humbjes, por në fund i fitoi tri pikë, pas rikthimit të mrekullueshëm. Nëse Rilind Nivokazi nuk do ta mposhtte Mariano Gomezin nga afërsia pas harkimit të Ilyas Chouarefit në minutën e 81-të, nuk dihet nëse Sioni do ta përmbyste rezultatin ndaj Zurichut në fitoren 3:2 në stadiumin “Letzigrund” të premten mbrëma. Ishte ndeshja e parë e kampionatit të ri të Superligës së Zvicrës, ka shkruar “Le Matin” të shtunën.
Sioni ishte duke humbur 2:0, ndërsa trajneri Didier Tholot bëri ndryshime që dolën të suksesshme. Inkuadroi në lojë edhe Josias Lukembila dhe Winsley Botelli, që i shënuan dy golat e fundit në fitoren 3:2. Një tjetër mësim: Sioni ndoshta e ka fituar qendërsulmuesin që i mungoi në edicionin e kaluar.
Dejan Sorgiq, Dejan Gjokiq dhe Mouhcine Bouriga ishin në fazën e sulmit, por nuk shfaqën më të mirën për t’u bërë rrezik për kundërshtarët. Shënuan vetëm dhjetë gola në të gjitha garat. Benjamin Kololli, Ilyas Chouaref, Theo Berdayes dhe Theo Bouchlarhem e kanë tregimin e tyre, por jo mjaftueshëm për të qenë forcë reale për sulmin. Si rezultat, Sioni e mbylli kampionatin me sulmin e nëntë më të mirë në ligë.
Para fillimit të sezonit, drejtori sportiv Barthelemy Constantin e mbuloi këtë zbrazëtirë. Nga dhjetë lojtarët e rinj në skuadër, gjashtë prej tyre janë sulmues. Në mesin e tyre edhe Rilind Nivokazi. Sulmuesi i cili asnjëherë nuk ishte paraqitur në Superligë, paraqitjen më të mirë e kishte në sezonin e kaluar në kategorinë e dytë me Bellinzonan. Sulmuesi që u lind në Perugia të Italisë, ka luajtur për grupmoshat U16, U17, U18 të Italisë, ndërsa ka pasur paraqitje edhe me U21 të Kosovës. Nivokazi tani është 25-vjeçar. Nivokazi ka stërvitur edhe tek Atalanta, ndërsa i realizoi 18 gola në edicionin e kaluar. E ndau çmimin e golashënuesit më të mirë të “Challenge League” me Warren Chaddy të Stade Lausanne Ouchyt. Talenti i tij u pa edhe në çerekfinale të Kupës së Zvicrës. Bellinzona kishte kaluar në epërsi 1:0 ndaj Lausanne-Sport, me golin e Nivokazit në minutën e 67-të. Skuadra e tij ishte eliminuar më pas në penallti.
Në Ticino, Rilind Nivokazi kishte shfaqur aftësi të shumta. Pozita e tij natyrale është brenda në zonë. Por ai jep kontribut të madh edhe në ndërtimin e lojës. I mirë në përfundim të aksioneve, shënon me të dyja këmbët dhe i mirë në lojën në ajër. Ai edhe fizikisht është i fuqishëm, vazhdon tutje mediumi zviceran, duke shtuar se është sulmues qendre i kompletuar.
Nivokazi, i cili ishte kërkuar edhe nga St. Galleni, dëshiroi që ta vazhdonte zhvillimin e tij në Zvicër. Zhvillimi i tij nisi në vitin 2021, fillimisht te Chiasso e më pas te Rapperswil e tek ekipi i dytë i Luganos, para se t’i bashkohej Bellinzonas. Tani është te Sioni. Kur trajneri Tholot ia dha rastin si titullar në miqësoren kundër Neuchatel Xamaxit, edhe para se transferimi të bëhej zyrtar, Nivokazi realizoi në minutën e gjashtë. 25-vjeçari, përveç atij goli, vazhdoi t’i impresiononte zyrtarët e Sionit. Ai realizoi edhe në fushën e Zenit Saint-Petersburgut dhe kundër Annecys.
“Këtë profil të lojtarit e kemi kërkuar për dy vjet. Ai sjell gjatësi në zonë, siguri dhe aftësi për ta mbajtur topin”, kishte deklaruar trajneri Tholot në konferencën për shtyp, para udhëtimit te Zurichu.
Dhe kjo u konfirmua të premten, në nisje të edicionit të ri të Superligës zvicerane. Misioni u përmbush në “Letzigrund”. Nivokazi luajti deri në minutën e 85-të. Te Sioni titullar ishin edhe Kreshnik Hajrizi e Kololli.