Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Mourinho, kandidati i favorizuar i Perezit për trajner të Madridit

murinho

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, tashmë e ka kandidatin e pëlqyer për postin e trajnerit të skuadrës.

Bëhet fjalë për portugezin Jose Mourinho, raporton “The Athletic” të martën.

Alvaro Arbeloa është trajner aktual i madrilenëve, por që nuk pritet të vazhdojë pas përfundimit të këtij edicioni.

Burime të shumta i kanë thënë “The Athletic” se vendimi për trajnerin e ri po shqyrtohet nga Perezi.

Një vit më parë ishte menaxheri gjeneral i klubit, Jose Angel Sanchez, që mori vendimin që Xabi Alonso të zëvendësonte Carlo Ancelottin. Ai kishte dritën e gjelbër të Perezit. Por Alonso u shkarkua dhe në vend të tij erdhi Arbeloa. 

Edhe Mourinho pritet të zyrtarizohet së shpejti trajner i Real Madridit Futboll Mourinho pritet të zyrtarizohet së shpejti trajner i Real Madridit

Florentino Perez këtë herë ka vendosur që ai të zgjedhë trajnerin e ri. Madridi për edicionin e dytë rresht pritet të mbetet pa trofe të rëndësishëm.

Dhe Perez e favorizon kthimin e Mourinhos, ndonëse persona të tjerë në klub kundërshtojnë këtë.

Mourinho ishte në krye të Madridit nga viti 2010 deri në vitin 2013. Gjatë kësaj periudhe skuadra i fitoi tre trofe, duke përfshirë titullin e La Ligas me rekord pikësh në edicionin 2011/12. Por Mourinho nuk e kishte fituar Ligën e Kampionëve me Real Madridin, ndonëse këtë sukses e kishte arritur më herët me Porton dhe Interin.

63-vjeçari Mourinho ishte figurë “përçarëse” në zhveshtoren e Madridit. Tensionet me kapitenin e atëhershëm, Iker Casillas, nuk u pritën mirë nga tifozët dhe mediat. Këtë edicion Mourinho u kritikua ashpër pas komenteve të bëra për incidentin në të cilin Vinicius Junior i Real Madridit u fye në baza racore nga Gianluca Prestianni i Benficas, skuadrës së Mourinhos.

Mourinho, që ka karrierë impresive, por edhe periudha të pasuksesshme, mori drejtimin e Benficas në shtator dhe ka kontratë deri në qershor 2027. Megjithatë, marrëveshja ka klauzolë lirimi prej rreth 3 milionë euro, që ua mundëson të dy palëve shkëputjen e kontratës deri në dhjetë ditë pas përfundimit të edicionit aktual.

Është bërë e zakonshme që Madridi të emërojë trajnerë që ishin më herët në skuadër. Janë edhe disa trajnerë të tjerë të njohur që përmenden si pasardhës të Arbeloas.

Edhe Reali zyrtarizon kthimin e Mourinhos Futboll Reali zyrtarizon kthimin e Mourinhos