Futboll

Lojtari serb thotë se futbollistët e Shqipërisë e kanë ditur se do të paraqitet flamuri me dron

Flamuri “Autochthonous” mbi fushën e stadiumit në Beograd, 2014

Flamuri “Autochthonous” mbi fushën e stadiumit në Beograd, 2014

Foto: Associated Press

Ndeshja e së shtunës mes Serbisë dhe Shqipërisë ka kthyer në kujtesë ndeshjen e kaluar mes dy përfaqësueseve në Serbi, përkatësisht në Beograd. 

Më 14 tetor të vitit 2014, ndeshja në Beograd u ndërpre pasi huliganët serbë, lojtarët e Serbisë dhe pjesëtarët e sigurimit i sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Incidentit të rëndë i parapriu paraqitja me dron e flamurit “Autochthonous” mbi fushën e stadiumit në Beograd”. Bëhet fjalë për flamurin me motive shqiptare, me hartën e kuqe me shqiponjë të zezë dhe figurat e Ismal Qemalit dhe Isa Boletinit anash.

Ai flamur më pas u bë shumë i famshëm në mesin e shqiptarëve. 

Ismail Morina (Ballisti) njihet si ideator dhe autor i shfaqjes së flamurit me motive shqiptare mbi Beograd.

Por një lojtar serb thotë se futbollistët e Shqipërisë e kanë ditur se flamuri do të shfaqet. Në fakt, Ballist Morina ka treguar se vepra ishte e tij, pa përzierjen e askujt.

Ish-futbollist Nenad Tomoviq ishte në stol te Serbia në atë ndeshje.

“Sinqerisht ishte një provokim i madh të shohim atë flamur duke fluturuar mbi kokat tona. Stefani, sipas mendimit tim, reagoi si duhet dhe e largoi atë menjëherë. Shihet, nga reagimi i tyre, nga mënyra se si kanë vrapuar dhe si janë nisur për ta mbrojtur atë flamur. Mendoj se çdo gjë ishte e planifikuar, e inskenuar. Më pas të gjithë kemi nisur të vrapojmë, kanë nisur incidentet. Por mendoj se çdo gjë është dashur të jetë në terren dhe jo të përfundojë në atë mënyrë. Qartë se ai ishte synimi i tyre. Atë që kishin planifikuar në fund, edhe e realizuan”, ka thënë Tomoviq për “informer.rs”.

Pas një procesi të gjatë, ajo ndeshje ishte regjistruar me rezultatin 3:0 në të mirë të Shqipërisë, ndonëse fillimisht UEFA ia dha fitoren në tavolinë Serbisë. Falë edhe asaj fitoreje, Shqipëria ishte kualifikuar në “Euro 2016”.

Por njollë e atyre kualifikimeve ishte humbja 2:0 po nga Serbia në Elbasan.

Ndeshja në Elbasan ishte luajtur më 8 tetor 2015. Ndonëse stadiumi ishte plot, atmosfera ishte e zbehtë dhe shumë e qetë. Për këtë ishte përkujdesur FSHF-ja me mënyrën e ndarjes së biletave.

Tomoviq ishte paraqitur në atë ndeshje për 90 minuta. Luajti në mbrojtje. Ai ka treguar se serbët ishin shumë të motivuar.

“Jo vetëm që unë kam luajtur mirë, por si ekip kemi luajtur shkëlqyeshëm në aspektin taktik. Të gjithë ishim shumë të motivuar, sikur nuk kemi guxuar ta humbim atë ndeshje. Para së gjithash për atë që kishte ndodhur te ne më parë. Kështu që kemi dashur të hakmerremi dhe t’u tregojmë atyre që tri pikë fitohen në terren e jo pas skandalit”, ka theksuar Tomoviq.

Ndeshja e së shtunës është vlerësuar e rrezikshmërisë së lartë. Masat e sigurisë pritet të jenë shumë të rrepta, ndërsa pjesëtarët e angazhuar të sigurisë të shumtë.