Federata e Futbollit të Serbisë (FS) ka njoftuar se, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme (MUP), ka shpallur ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë “me rrezik të lartë për sigurinë”.
Më 11 tetor, Serbia do ta presë kombëtaren e Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, në stadiumin “Duboçica” në Leskovc.
“Me qëllim që të sigurohet një nivel maksimal sigurie për të gjithë pjesëmarrësit dhe shikuesit, FIFA ka vendosur të dërgojë dy zyrtarë sigurie në Leskovc posaçërisht për këtë rast. Prania e tyre e konfirmon qartë rëndësinë dhe seriozitetin e kësaj ndeshjeje në aspektin e sigurisë, por njëkohësisht nënvizon edhe obligimin e të gjithë aktorëve për ta vënë sportin mbi gjithçka tjetër”, thuhet në njoftimin e FS-së.
Në deklaratë theksohet se publiku e ka ende të freskët kujtesën për ndeshjen e vitit 2014, e cila u ndërpre pas incidenteve të rënda. Atëherë, mbi stadium u shfaq një dron me flamurin “Autochtonous”, gjë që solli përplasje masive mes lojtarëve. E më pas tifozët serbë hynë në fushë duke sulmuar lojtarët e Shqipërisë.
“Ndeshja e mëparshme mes këtyre dy kombëtareve në Beograd, në tetor të vitit 2014, u ndërpre për shkak të incidenteve serioze, të cilat patën pasoja të thella për kombëtaren dhe futbollin serb – si në aspektin sportiv, ashtu edhe financiar. Prandaj, kemi një përgjegjësi të veçantë që një skenar i tillë të mos përsëritet, por të tregojmë se Serbia mund dhe duhet të jetë nikoqire e një ngjarjeje të madhe sportive, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”, ka theksuar Federata serbe.
Shqipëria e Serbia u takuan në qershor në Tiranë. Ndeshja përfundoi 0:0 dhe pa incidente të theksuara.
