Emir Sahiti ka bërë lëvizje të papritur dhe hap të madh prapa në karrierë. Ai është huazuar nga Hamburgu i Bundesligës gjermane te Maccabi Tel Avivi në Izrael. Lëvizja është zyrtarizuar të premten.
Huazimi i 27-vjeçarit është i vlefshëm deri në fund të edicionit aktual. Sahiti luan sulmues krahu, ndërsa pati telashe të mëdha te Hamburgu këtë edicion.
“Emiri nuk kishte hapësirën për lojë që e shpresonte deri më tani këtë edicion, kështu që një huazim ka kuptim për të gjitha palët. Emiri është karakter popullor në skuadër dhe është sjellë në mënyrë të përkryer çdo ditë, pavarësisht situatës sportive. Ai luajti rol në kthimin tonë në Bundesligë. I dëshirojmë çdo sukses gjatë kohës në Izrael. Do ta përcjellim nga afër zhvillimin e tij derisa të jetë në huazim”, ka thënë drejtori sportiv i Hamburgut, Claus Costa.
Sahiti ishte transferuar te Hamburgu në verën e vitit 2024 nga Hajduku i Splitit. Ka bërë 26 paraqitje garuese për klubin gjerman. Gjatë kampanjës së Hamburgut për kthim në Bundesligë, kosovari i kishte tri gola e dy asistime. Këtë edicion është paraqitur dy herë në Bundesligë dhe dy herë në Kupë të Gjermanisë.
“Jam shumë mirënjohës për kohën time të deritashme te Hamburgu. Edicioni i kaluar sidomos, me promovimin, ishte moment kulmor për mua. Tani po shikoj para për mundësi të reja te Maccabi Tel Aviv. I dëshiroj Hamburgut çdo të mirë në pjesën e mbetur të edicionit dhe shpresoj se klubi do të mbetet në Bundesligë”, ka thënë Sahiti.
Sahiti me Hamburgun ka kontratë deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Huazimi te Maccabi është i vlefshëm deri më 30 qershor të këtij viti.
Së fundi në Bundesligë luajti më 29 gusht të vitit të kaluar. Ndërkohë së fundi është grumbulluar më 20 dhjetor.
Sahiti i ka shtatë paraqitje e një gol për Kosovën. Nuk është ftuar që nga marsi i vitit të kaluar dhe ka pak gjasa të ftohet në të ardhmen.
Maccabi Tel Aviv garoi në Ligën e Evropës, por mbeti në vendin e fundit në fazën e ligës dhe nuk avancoi. Në kampionatin e Izraelit është në vendin e tretë me 36 pikë. Ka mbetur plot dhjetë pikë prapa Beitar Jerusalemit.