Trajneri i Borussia Dortmundit, Niko Kovaç, ka treguar se ylli i ri i skuadrës gjermane, Jobe Bellingham, nuk e ka ditur se do të suspendohet për ndëshkim me karton të verdhë në dy ndeshje të ndryshme.
Dortmundi është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube ku do të përballet me Real Madridin. Por nuk do të ketë bashkim të vëllezërve Bellingham. Jude Bellingham është yll i Real Madridit dhe do të jetë në fushë. Por jo edhe Jobe.
“Jobe nuk e ka ditur se kartoni i dytë i verdhë do të sjellë suspendimin. Në mes pjesëlojëve ai madje nuk ishte i vetëdijshëm se nuk do të lejohet të luajë në ndeshjen e ardhshme, më është dashur t’i tregojë. Ishte shumë i dëshpëruar pasi mezi ka pritur këtë ndeshje. Jam i sigurt se vëllezërit do të përballen, ndoshta në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Kovaç.
Jobe Bellingham bëri faul të panevojshëm ndaj Deossas në minutën e 28-të dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Ishte ndëshkuar edhe në ndeshjen e mëparshme dhe tani është i suspenduar. Sipas “Bild”, anglezi do të ishte dukshëm më i kujdesshëm sikur ta dinte për suspendimin.
“Ai ishte shumë i mërzitur dhe është dashur ta ngushëllojmë pak pas ndeshjes”, ka thënë drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl.
Prindërit e dy futbollistëve, Mark dhe Denise, po qëndrojnë në SHBA dhe po përcjellin vazhdimisht ndeshjet e Madridit e Dortmundit. Familja Bellingham do të bashkohet në “MetLife Stadium”, por nuk do të ketë përballje të vëllezërve në skenën e madhe.