Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Juventusi po rritet, por pa Zhegrovën pjesë të formacionit startues

Edon Zhegrova

Portugezi Francisco Conceicao është vlerësuar rival i Edon Zhegrovës për vend në formacionin startues të Juventusit. Për shkak të gjendjes fizike, Conceicao nuk është grumbulluar në dy ndeshjet e fundit të Juves. Por Edon Zhegrova sërish mbeti në stol.

Juve fitoi 3:0 ndaj Sassuolos më 6 janar dhe 5:0 ndaj Cremoneses të hënën mbrëma.

Ndaj Sassuolos, Zhegrova luajti vetëm prej minutës së 90-të. E zëvendësoi italianin Fabio Miretti.

Ndaj Cremoneses, futbollisti kosovar luajti prej minutës së 62-të. Dhe e zëvendësoi Kenan Yildizin. Ndërkohë Miretti luajti deri në minutën e 83-të dhe ishte prej më të mirëve.

Pikërisht Miretti “e fitoi” pozitën që e shpreson Zhegrova, në mungesë të Conceicaot. Dhe Zhegrova vazhdon të jetë vetëm zëvendësues. Ndaj Cremoneses e fitoi rastin kur fituesi tashmë dihej. Rezultati ishte 4:0. Dhe nuk u vlerësua me ndonjë notë të mirë.

Edhe Pyetja gjithnjë e më aktuale: a është Juventusi ekipi i duhur për Zhegrovën? Futboll Pyetja gjithnjë e më aktuale: a është Juventusi ekipi i duhur për Zhegrovën?

Ndërkohë Juventusi vazhdon të rritet si skuadër, përkatësisht të ketë rezultate gjithnjë e më të mira. Humbjen e fundit e ka pësuar më 7 dhjetor, 2:1 nga Napoli. Prej atëherë në Serie A ka fituar ndaj Bolognas, ndaj Romës e ndaj Pisas, ka barazuar me Leccen dhe ka fituar ndaj Sassuolos dhe Cremoneses. Tani skuadra e Luciano Spallettit është në vendin e katërt në kampionatin italian me 39 pikë, sa i ka Napoli në vendin e tretë. Milani është i dyti me 40 pikë, kurse Interi i pari me 43. Roma po ashtu i ka 39 pikë në vendin e pestë dhe gjitha këto skuadra janë në garë për titull.

“Djemtë e Spalletit dërguan porosi të qartë dhe të zëshme për ligën. Një ekip në rritje, më shumë vetëbesim dhe paraqitje dominante. E gjitha në balancë të përkryer”, ka shkruar “Tuttosport”, mediumi i afërt me Juven.

Pikërisht balanci mes lojës në sulm dhe mbrojtje vlerësohet se i mungon më së shumti Zhegrovës. Derisa në sulm shpesh ofron magji, në mbrojtje shpesh është pikë e ndjeshme e skuadrës. Këtë e ka thënë edhe Spalletti.

Ky medium e ka vlerësuar Mirettin me notën 7.5. Ka vlerësuar paraqitjen e italianit 22-vjeçar, ndërsa ka shkruar se ai mori duartrokitje nga tifozët në stadium.

Zhegrova u vlerësua me notën 6. Sipas “Tuttosport”, rrjedha e lojës i “mundësoi Zhegrovës të argëtonte veten dhe tifozërinë me disa lëvizje akrobatike, më shumë se zakonisht”.

Zhegrova tashmë i ka nëntë paraqitje në Serie A. Por ende nuk ka gol e asistim. Ka pasur momente shumë të mira. Ndeshje po ashtu. Por vendin e titullarit nuk po e fiton dot. Ai e ka për Juven edhe një ndeshje në Kupë të Italisë dhe katër të tjera në Champions.

Edhe Fiton Juventusi, 20 minuta për Zhegrovën Futboll Fiton Juventusi, 20 minuta për Zhegrovën

Në serinë e fitoreve, vështirë se Spalletti mund të vendosë për ndryshim në formacion. 

“Mendoj se jemi paraqitur mirë në fushë. Kemi luajtur ndeshje të mirë, me dëshirën e duhur ndaj një kundërshtari që e di se çka duhet të bëjë, që e njeh këtë ligë mirë dhe është ekip i organizuar. Me pak fat në golin e parë, loja shkoi në drejtimin e duhur”, ka thënë Spalletti.