27 vjet më parë karriera e Tomislav Laziqit mund të kishte marrë kah tjetër. Por fati nuk ishte në anën e tij.
Laziq tani është trajner i shenjëtarisë. Në vitin 1998 ishte futbollist. Dhe topi i goditur prej tij kishte përfunduar dhjetë centimetra larg shtyllës së portës së përfaqësueses së Kroacisë, në miqësoren e zhvilluar me skuadrën Inker Zapreshiq. Miqësorja ishte luajtur pak para Kupës së Botës 1998.
Laziq ishte pjesë e klubit kroat, ndërsa në Botërorin “Francë 1998”, Kroacia e drejtuar nga Miroslav Blazheviqi dhe me yje si Davor Shuker, Zvonimir Boban e Robert Prosineçki u rendit e treta, pas Francës e Brazilit. Ardian Kozniku ishte pjesë e atij ekipi të Kroacisë.
“Gati sa nuk shënova gol. Kam bërë vrapim diagonal thuajse në të gjithë fushën, bëra një lëvizje mashtruese, gjuajta drejt portës, por topi përfundoi vetëm 10 centimetra larg cakut”, nis rrëfimin ish-futbollisti, Laziq.
Tomislav Laziq është angazhuar si trajner i shenjëtarisë në Kosovë. Angazhimi i tij u bë i mundur falë programit të Qeverisë së Kosovës, Supersportistët, që për qëllim ka ngritjen e mëtejme të sportistëve me potencialë të vendit.
Ekipi i KOHËS gjatë javës ka qëndruar në një stërvitje të shenjëtarit Ndriçim Raci, i përzgjedhur nga federata si më perspektivi në vend. Erika Matoshi po ashtu është prej të përzgjedhurave nga programi Supersportistët.
Laziq, i cili luajti në krahun e djathtë, thotë se mosrealizimi i golit, mund të ketë ndodhur për një arsye.
“Do të ishte goli i jetës. Ndoshta do ta ndryshonte karrierën time. Por, çdo gjë ndodh për një arsye. Ndoshta nuk shënova gol atëherë, për të arritur atë që e kam arritur si trajner i shenjëtarisë. Nuk do të shkoja në Lojërat Olimpike dhe ngjarje të tjera të mëdha. Ndoshta kjo është arsyeja”, thotë kroati.
Miqësorja, siç tregon Laziq, ishte zhvilluar pak para se Kroacia të udhëtonte drejt Francës.
“Nuk e di si ndodhi. Kishim drejtor të mirë sportiv në atë kohë në Inker Zapreshiq. Ai e aranzhoi atë ndeshje. Por, nuk ishte e pazakontë për atë klub të kishte ndeshje të tilla sepse drejtori sportiv, vetë klubi, menaxhmenti, kishin arritje të ndryshme. Madje edhe Luka Modriq, futbollisti i njohur botëror, ka luajtur në atë klub në një periudhë”, tregon Laziq.
Fotografia para stadiumit “Fadil Vokrri”
Krahas Inker Zapreshiqit, Laziq tregon se ka luajtur edhe për Zagrebin e disa skuadra më të vogla kroate.
Ai për herë të parë është në Kosovë. Menjëherë pasi erdhi bëri një fotografi.
“Afër është stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe Vokrri ishte njëri prej lojtarëve që kujtoj. Nuk mund ta shpjegoj pse. Por, ai më ka bërë përshtypje. Kur kam ardhur këtu, fotografia ime e parë ishte te stadiumi 'Fadil Vokrri'”, ka theksuar ai.
Pasi tregon për të kaluarën si futbollist, Laziq nis të flasë për punën që tashmë e bën me shumë profesionalizëm.
Ai thotë se ka qenë kampion i Kroacisë dhe fitues i Kupës në disiplinën 10 metra pistoletë dhe nënkampion i Kroacisë në 50 metra pistoletë.
“Shkova në nivelin e përfaqësueses, por për të qenë shenjëtar i përfaqësueses vazhdimisht, duhet të punosh fort, të shpenzosh shumë energji dhe zgjodha të bëhesha trajner. Nuk i bie pishman por mendoj se kam mundur të arrij më shumë si sportist. Ende garoj, por nuk kam pretendime për t’u bërë olimpist. Por edhe nuk dua. Kam marrë pjesë në Lojërat Olimpike, në Lojërat Paralimpike, në Lojërat Olimpike për të Shurdhër. Pak trajnerë e kanë bërë këtë, në çfarëdo sporti”.
Laziq në vitin 2008 u pajis me Licencën C të Federatës Botërore të Qitjes, ndërsa një vit më vonë me Licencën B. Leksione për shenjëtarinë ka dhënë edhe për sportistë të disa shteteve të tjera.
Vlerësimi për shenjëtarët e Kosovës
Huqja prej 10 centimetrash në futboll vlerësohet si rast i mirë i lëshuar. Në shenjëtari 10 centimetra janë shumë.
“Dhjetë centimetra është dështim këtu. Që Ndriçimi të ketë rezultat të mirë, ai duhet ta qëllojë rrethin e vogël, që është gjysmë milimetri në diametër, nga dhjetë metra largësi. Dhe këtë duhet ta bëjë 60 herë rresht”, tregon trajneri kroat, aktualisht trajner i qitësve më potencialë të vendit.
Puna e Laziqit me Ndriçim Racin, Erika Matoshin dhe shenjëtarët e tjerë të Kosovës është thuajse e përditshme në poligonin e shenjëtarisë sportive në Pallatin e Sportit në Prishtinë. Ai thotë se poligoni ngjason me atë të Zagrebit. Thotë se i plotëson kërkesat për t’i realizuar synimet.
“Sportistët duhet të punojnë më shumë. Duhet të jenë të durueshëm. Të kuptojnë se janë shumë, shumë të mirë tashmë. Këtë nuk e prisja. Të gjithë sportistët me të cilët punoj tani, janë shumë të mirë, kanë teknikë të mirë. Ata duhet të përmirësohen në shprehitë e punës dhe të përmirësojnë aspektin e të menduarit”.
Laziq vlerëson talentin që kanë shenjëtarët e Kosovës. Por thekson se rezultatet nuk arrihen brenda natës.
Në fakt shenjëtaria nuk është shumë e zhvilluar në Kosovë. Numri i shenjëtarëve është fare i vogël.
“Asgjë nuk mund të ndodhë brenda natës. Jo shumë gjëra mund të ndodhin brenda një viti, në veçanti në fitimin e medaljeve ndërkombëtare, në Kampionate Evropiane e të tjera. Por jam shumë i sigurt se do të ketë fitues të medaljeve në të ardhmen në mesin e këtyre sportistëve”, ka thënë Laziq.
Ndriçim Raci me shenjëtari merret më shumë se shtatë vjet. Tregon se brenda pak muajsh ka bërë avancim të madh. Thotë se avancimin e ka arritur falë punës me trajnerin kroat.
“Nëse flas në aspektin e një garuesi, anëtari të reprezentacionit, atëherë synimet e mia janë të qarta - një sukses në garat evropiane, garat ndërkombëtare, në Lojërat Olimpike. Këtë edhe e kemi synim me trajnerin që është angazhuar dhe ka ardhur nga Kroacia për të na ndihmuar në rritjen e aspektit profesional”, ka thënë Raci.
Ai e di se e pret punë e madhe.
“Vazhdimisht jam duke punuar me kontrollimin e emocioneve, si atyre pozitive edhe atyre negative. Po shpresojmë që brenda disa vjetëve do të mund ta përfaqësojmë Kosovën sa më mirë në garat ndërkombëtare”, thotë qitësi i Kosovës.
Qitësi në pushkë ajrore 10 metra e di se vetëm me punë të madhe mund të arrihen rezultatet kulmore.
“Në aspektin profesional si synim dhe qëllim të qartë me trajnerin e kemi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, dhe arritjen e një kuote olimpike. Gjithashtu edhe medaljen në Kampionate Evropiane dhe Kampionate Botërore. Besoj që brenda këtyre katër viteve që parashihet të zhvillohet programi, do të arrijmë suksese dhe Kosovën do ta përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Raci 21-vjeçar.
Laziq ka dëshmuar se puna e tij me të rinj ka sukses. Ai kishte udhëhequr kroaten Valentina Gustin në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Ishte kualifikuar falë medaljes së argjendtë në Kupën e Botës 2015. Një normë olimpike me Kosovën në shenjëtari do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.