Futboll

Ish-trajneri i Sparta Pragës flet për Krasniqin

ERMAL KRASNIQI

Ish-trajneri i Sparta Pragës, Lars Friis, ka folur për sulmuesin e Kosovës, Ermal Krasniqi.

Friis ishte trajner i Spartës kur Krasniqi luajti për ekipin çek, në edicionin e kaluar.

Por Krasniqi nuk kishte shumë hapësirë te Sparta dhe vendosi të ndryshojë skuadër verën e kaluar.

27-vjeçari u huazua te Legia e Varshavës nga Sparta deri në përfundimin e edicionit 2025/26.

49-vjeçari Friis të hënën në një intervistë për “Onet.pl” tregoi arsyet që çuan në vendimin e Krasniqit për t’u larguar nga Sparta.

“Ai e bëri punën e tij pikërisht ashtu siç e prisja. Ai gjithashtu luajti rol të madh në kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, konkurrenca ishte e ashpër, sepse kur je te Sparta ke shumë lojtarë të mirë në sulm. Në fund, ishte pikërisht kjo konkurrencë e fortë që bëri diferencën”, ka thënë danezi Friis.

Pavarësisht se si shkuan gjërat, Friis flet me entuziazëm për kosovarin.

“Nuk mund ta kritikoj kurrë mënyrën se si punonte, mënyrën se si sillej apo intensitetin e punës. Ai është një nga ata lojtarë që do të më vijnë gjithmonë ndërmend kur të ulem dhe të kujtoj lojtarët me të cilët kam punuar. Më pëlqeu shumë të punoja me të. Ai jep 100 për qind çdo ditë”.

Krasniqi këtë edicion me klubin polak, Legia, ka tri gola të shënuar në 21 paraqitje në të gjitha garat.

Friis është pa angazhim.