Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Historia e dhimbshme e Matoshit

Valmir Matoshi

Valmir Matoshi është në prag të festës së titullit me Thunin në elitën e futbollit zviceran. 

Mesfushori 22-vjeçar ka qenë prej më të mirëve te skuadra e Thunit në sukseset e këtij sezoni. Ai e mban fanellën me numrin 78 në fanellë, dhe ka arsye për këtë. Ka histori të dhimbshme madje. 
Matoshi e nënshkroi kontratën e parë profesionale me Thunin në vitin 2022, dhe ishte 19-vjeçar në atë kohë. Ai menjëherë e kërkoi numrin 78 në fanellë. Ishte viti i lindjes së babait të tij, të cilit ia kushton çdo sukses. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për fat të mirë, Thuni u pajtua me këtë kërkesë. Por, vetëm gjashtë muaj pasi nënshkroi kontratën, babai i Matoshit vdiq në moshën 45-vjeçare. Ai nuk e fitoi luftën tetëvjeçare me sëmundjen e rëndë, kancerin. 

Historinë e tij të dhimbshme, Matoshi e ka ndarë në një intervistë dhënë për mediumin zviceran “Bluesport”. 

“Kanë kaluar tashmë tre vjet dhe dhimbja është ende e madhe. Por jam mësuar që ta përballoj, të jetoj me këtë”, thotë ai. 

Vetëm një minutë para se të fliste për këtë çështje, Matoshi bënte shaka dhe qeshte me bashkëlojtarët në sesionin e dhënies së autografeve. Tani mesfushori i talentuar lufton që t’i mbaj lotët. “Ai nuk ishte vetëm baba, ai ishte shoku im më i mirë. Gjithmonë më ka mbështetur. Ai e donte futbollin ndoshta më shumë se që e doja unë. Falënderoj Zotin që babai ishte në gjendje ta shihte djalin teksa e nënshkruante kontratën profesionale dhe shënimin e golit të parë në ndeshje me U20 të Zvicrës, pak pas asaj kohe”, thotë Matoshi. “Nuk mendoj se ai do të mund të imagjinonte largim më të mirë”. 
Matoshi në veçanti e mban mend bisedën pak para se babai të vdiste. Ishte një ditë pas ditëlindjes së 20-të. “Ishim vetëm. Ai më tha se nuk mund të më shihte nga tribunat më, por tha se do ta kishte ulësen më të mirë dhe do ta shihte nga lartë”. 

Matoshi i premtoi babait të tij në atë kohë se do ta jepte më të mirën. Dhe e ka mbajtur fjalën. 
Tani Thuni është në prag të titullit në Zvicër. 

“Kjo do të ishte gjëja më e bukur!”, thotë Matoshi, duke e ditur se nëna dhe familjarët e tjerë do ta shikonin nga tribuna, e babai nga lartë. 

“Ai do të ishte krenar që e kam vazhduar rrugëtimin që e kemi nisur së bashku dhe që kam dhënë gjithçka nga vetja”. 

22-vjeçari Matoshi është mesfushor qendror dhe me prejardhje nga Kosova, përkatëisht Suhareka. 
Ai i ka pesë gola e katër asistime në 30 paraqitjet e këtij sezoni. Me Thunin ka festuar ngritjen e skuadrës në Superligën e Zvicrës, ndërsa tani është pranë që t’i gëzohet titullit të parë në histori të klubit. 

Matoshi është zhvilluar te Thuni, klubi i qytetit të tij të lindjes. 

Ai ka kontratë me Thunin deri në vitin 2027. Matoshi ka luajtur tetë ndeshje për U21 të Zvicrës dhe ka realizuar dy gola. Në një intervistë për KOHËN në mars të këtij viti, ka thënë se nuk ia ka mbyllur derën Kosovës. 

Te Thuni luan edhe mesfushori tjetër shqiptar, Kastriot Imeri. Legjendë e Thunit është Milaim Rama.