Mbrojtësi Albian Hajdari është shprehur i emocionuar pas debutimit të tij me fanellën e Kosovës, duke theksuar se është ndier menjëherë pjesë e grupit falë pritjes së ngrohtë nga bashkëlojtarët dhe stafi.
“Jam lojtar shumë emocional dhe ndoshta e kam shprehur pak këtë. Nuk po e ndiej veten si debutues, sepse më kanë pritur të gjithë shumë mirë, sikur të jem këtu prej kohësh. Jam shumë i kënaqur për debutimin, sidomos që nuk kemi pranuar gol – për një mbrojtës kjo është gjëja më e mirë”, ka thënë Hajdari, duke vlerësuar edhe punën e ekipit në aspektin defensiv.
Ai theksoi se ndonëse përvoja në Zvicër ka qenë ndryshe, Kosova ka potencial të madh dhe mund të synojë lart.
“E di që krahasimi me Zvicrën është tjetër nivel e mentalitet, por edhe këtu ka shumë cilësi. Mund të flasim edhe për Botëror. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, u shpreh ai.
Duke folur për ndeshjen e radhës ndaj Suedisë, Hajdari ka thënë se ekipi do të ruajë të njëjtin mentalitet luftarak.
“Është folur shumë për sulmuesit e Suedisë dhe për milionat e tyre, por ne me shifra të vogla kemi arritur shumë. Do të japim maksimumin dhe pres një ndeshje të mirë”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës.
22-vjeçari ishte prej më të mirëve në fushë në barazimin pa gola ndaj Sllovenisë.
