Lëndohet Rexhbeçaj, e zëvendëson Berisha
Elvis Rexhbeçaj është detyruar ta lërë fushën në minutën e 51-të për shkak të një lëndimi.
Në vend të Rexhbeçajt në lojë është inkuadruar Valon Berisha.
Mbyllet pa gola pjesa e parë në “Fadil Vokrri”
Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e ndeshjes Kosova – Sllovenia.
Të dyja ekipet patën vetëm nga një rast të mirë shënimi. Kosova e pati me Vedat Muriqin në minutat e para, ndërsa Benjamin Sheshko i Sllovenisë në minutën e 38-të por u ndal nga Arijanet Muriq.
Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon kualifikimeve për Botërorin 2026.
Muriqi shpëton Kosovën
Arijanet Muriq ka bërë super pritje në minutën e 38-të.
Benjamin Sheshko nga afërsia goditi fuqishëm por Muriq reagoi duke bërë pritje shumë të mirë dhe më pas priti edhe një goditje me kokë nga bashkëlojtari.
Rast i mirë për Kosovën
Vedat Muriqi kishte rast shumë të mirë në minutën e pestë për ta kaluar në epërsi Kosovën. Florent Muslija harkoi në zonë, topin e pranoi Muriqi por goditja shkoi fare pranë portës.
Ndeshja Kosovë – Slloveni i takon kualifikimeve për Botërorin 2026.
Foda i përmbahet formacionit fitues
Selektori i Kosovës, Franco Foda, i është përmbajtur formacionit që solli fitoren e madhe ndaj Suedisë.
Ndonëse janë kthyer Edon Zhegrova e Milot Rashica, ata janë vetëm zëvendësues.
Ndryshimi i vetëm është në mbrojtje. Në mungesë të Lumbardh Dellovës së lënduar starton debutuesi Albian Hajdari.
Pjesa tjetër e formacionit është e njëjta.
Kosova ka gjasë t’i përmbahet edhe taktikës së njëjtë. Në mbrojtje mund të luajë me pesë lojtarë në vijën e fundit, ndërsa në sulm të fitojë epërsi numerike me Mërgim Vojvodën e Dion Gallapenin në krahë.
Vedat Muriqi e Albion Rrahmani do të jenë në sulm, të përkrahur nga Florent Muslija.
Kontrollimi i mesfushës i është besuar dyshes së Bundsligës, Leon Avdullahu – Elvis Rexhbeçaj.
Përkrah Hajdarit në mbrojtje luan Fidan Aliti, derisa Aro Muriq është në portë.
Kosova publikon formacionin, starton Hajdari
Selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Sllovenisë.
Nga minuta e parë do të luajë Albian Hajdari që ditë më parë refuzoi Zvicrën për Kosovën. Do të jetë debutim për mbrojtësin e Hoffenheimit.
“Dardanët” nga ora 20:45 luajnë përballë Sllovenisë, në ndeshjen që i takon Grupit B të kualifikimeve. Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sulmit i prijnë Vedat Muriqi, Albion Rrahmani dhe Florent Muslija.
Mesfusha përbëhet prej Leon Avdullahut, Elvis Rexhbeçajt dhe Mërgim Vojvodës.
Në repartin defensivë janë Ilir Krasniqi, Albian Hajdari, Fidan Aliti dhe Dion Gallapeni.
Në portë si zakonisht është Arijanet Muriq.

Sllovenia me ekip më të shtrenjtë se Kosova
Përfaqësuesja e Kosovës do të ketë punë të vështirë sonte nga ora 20:45 në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Vlera e përfaqësueses sllovene është dukshëm më të lartë.
Sipas “transfermarkt”, vlera e lojtarëve të Suedisë është 162 milionë euro, në krahasim me 54 milionë euro sa vlejnë gjithë lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës.
Dallimin e bën sulmuesi i rrezikshëm i sllovenëve, Benjamin Sheshko, që vlerësohet 70 milionë euro.
Lojtari më i shtrenjtë te Kosova është sulmuesi i Juventusit, Edon Zhegrova, që vlerësohet 25 milionë euro.
Futbollistët e Kosovës kanë pasur rritje të madhe së fundmi në treg.
Tre lojtarët e Hoffenheimit, Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani, kushtojnë 30 milionë euro. Vlera e Hajdarit është 12 milionë euro, e Avdullahut dhjetë dhe e Asllanit tetë milionë euro.
Prej lojtarëve të shtrenjtë të Kosovës janë edhe sulmuesi i Spartës së Pragës, Albion Rrahmani me tetë milionë euro dhe portieri i Sassuolos, Arijanet Muriq, që ka vlerën 7.5 milionë euro në treg.
Por, vlera në treg nuk është tregues se cilët janë lojtarët më të rrezikshëm te ndonjë përfaqësuese.
Vedat Muriqi, sulmuesi më i rrezikshëm i Kosovës që luan te Mallorca, vlerën në “transfermarkt” e ka 5 milionë euro. Megjithatë, Muriqi i prin listës së golashënuesve te Kosova me 32 gola në 62 paraqitje.
Kosova synon fitore për të mbetur në garë
Kosova synon tjetër paraqitje mbresëlënëse, si në fitoren 2:0 ndaj Suedisë, për ta bërë hapin e madh drejt Botërorit 2026.
“Dardanët” nga ora 20:45 luajnë përballë Sllovenisë, në ndeshjen që i takon Grupit B të kualifikimeve.
Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri”, që do të jetë plot me shikues.
Në shtator, Kosova u mposht nga Zvicra në Basel me rezultatin 4:0, ndërsa fitoi ndaj suedezëve në Prishtinë.
Sllovenët barazuan me Suedinë 2:2 në ndeshjen e parë, dhe u mposhtën 3:0 nga Zvicra.
Kosova këtë vit ka shënuar rritjen më të madhe. Është e 91-ta në ranglistën e FIFA-s, derisa është promovuar edhe në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” e kanë vetëm një humbje në fushën e lojës në 11 ndeshjet e fundit. I kanë shënuar 26 gola.
Humbja tjetër, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ishte ajo ndaj Rumanisë me rezultatin zyrtar, 3:0.
Fitorja e radhës për lojtarët e udhëhequr nga Franco Foda, do të bënte që Kosova të hynte seriozisht në garë për Botërorin që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Kosova ka mungesa të shumta, por Foda ka theksuar se ekipi është gati.