Fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germaini, do të sfidohet nga kampioni në fuqi i Gjermanisë, Bayerni, në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube.
Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 18:00 në Atlanta. Ndërkohë çerekfinalja e fundit e Botërorit të Klubeve në SHBA vë përballë dy skuadra të tjera të mëdha evropiane, Real Madridin dhe Borussia Dortmundin.
Madridi e Dortmundi përballen të shtunën, nga ora 20:00, në New York.
Tashmë janë eliminuar skuadra të mëdha evropiane, si Manchester City e Interi, ndërsa të shtunën rrugëtimin në Botërorin e Klubeve do ta përfundojnë edhe dy skuadra të mëdha evropiane.
Për shkak të sukseseve të fundit, Parisi ende llogaritet favorit. Skuadra e Luis Enriques në një të tetën e finales fitoi bindshëm e lehtë ndaj Inter Miamit të Lionel Messit. 4:0 në të mirë të kampionit francez ishte rezultati në fund.
Edhe Bayerni fitoi bindshëm në një të tetën e finales. E mposhti 4:2 skuadrën braziliane Flamengo.
Në fazën grupore Parisi ishte i pari, ndonëse pësoi humbje befasuese nga Botafogo, 1:0. Parisienët fituan 4:0 ndaj Atletico Madridit dhe 2:0 ndaj Seattles.
Edhe Bayerni kishte dy fitore e një humbje. Fitoi 10:0 ndaj Auckland Cityt dhe 2:1 ndaj Boca Juniorsit, ndërsa humbi 1:0 nga Benfica.
“Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë ndaj PSG-së, që ka pasur një edicion të shkëlqyer. Ne tashmë kemi luajtur ndaj Parisit këtë edicion. Duhet të provojmë të paraqitemi me energji të mira në këtë ndeshje. E dimë që do të jetë vështirë, por ndiejmë që mund të mposhtim secilin kundërshtar”, ka thënë sulmuesi anglez i Bayernit, Harry Kane.
Bayerni kishte fituar 1:0 ndaj Parisit në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Champions.
Në ndeshjen e 26 nëntorit të vitit të kaluar, golin e vetëm e kishte shënuar Kim Min-jae. Parisi ka humbur katër ndeshjet e fundit me Bayernin.
Ka raportime të shumta që në përbërjen bazë të Parisit mund të kthehet Ousmane Dembele, që mungoi në ndeshjet në grup për shkak të një lëndimi. Ai luajti 20 minuta ndaj Inter Miamit dhe pritet të ketë më shumë hapësirë në përballje me kampionin gjerman.
Me shumë interesim pritet edhe ndeshja mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit. Madridi tashmë po drejtohet nga Xabi Alonso, ndërsa “dora” e tij ka nisur të vërehet gradualisht.
Në një të tetën e finales madrilenët fituan 1:0 ndaj Juventusit. Në grup fillimisht barazuan me Al-Hilalin e më pas fituan ndaj Pachucas së Meksikës dhe Salzburgut austriak.
Dortmundi po ashtu fitoi grupin me shtatë pikë. Barazoi pa gola me Fluminensen e Brazilit para se të fitonte 4:3 ndaj Mamelodit të Afrikës së Jugut dhe 1:0 ndaj Ulsanit të Koresë së Jugut. Skuadra e verdhë nga Gjermania ishte në grup relativisht të lehtë, ndërsa në një të tetën e finales fitoi 2:1 ndaj Monterreyt të Meksikës. Për herë të parë në këtë Botëror do të ketë punë me skuadër evropiane dhe atë me më të suksesshmen në histori.
Gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube janë të martën e të mërkurën e javës së ardhshme. Finalja është më 13 korrik në New York.