Futboll

Galatasaray kompleton transferimin e Leroy Sanes

Leroy Sane

Galatasaray e ka kompletuar transferimin e sulmuesit të krahut, Leroy Sane, nga Bayern Munichu. 
Sane ka nënshkruar kontratë trevjeçare me kampionin e Superligës së Turqisë, që të enjten njoftoi për transferimin e tij. 

Galatasaray ka thënë se Sane do të ketë pagë sezonale prej 9 milionë eurove, plus tre milionë euro të tjera bonuse. 

Ai zyrtarisht do t’i bashkohet Galatasarayt më 1 korrik si futbollist i lirë, pasi kontrata me Bayernin i skadon në fund të këtij muaji. 

Sane iu bashkua Bayernit në vitin 2020 me kontratë pesëvjeçare nga skuadra angleze, Manchester City. 

Me Cityn, Sane e fitoi titullin në Premier League dy herë, në vitin 2018 dhe 2019. 

Sane është fitues i Bundesligës katër herë me klubin bavarez, së fundmi në edicionin që përfundoi. 
Me Bayernin ka fituar dy Superkupa të Gjermanisë, një Superkupë të Evropës dhe një Kupë të Botës për Klube. 

Sane postoi në Instagram një video përshëndetëse me tifozët bavarezë.

“Tifozë të dashur të Bayernit, pas pesë viteve intensive këtu në Munih, kam vendosur për një kaptinë të re për sezonin e ardhshëm. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kam veshur fanellën e klubit më të mirë dhe më të madhit në Gjermani për më shumë se 200 ndeshje dhe gjithmonë do t’i kujtoj titujt që i kemi fituar së bashku. Faleminderit shumë klubit, stafit të trajnerëve, të gjithëve prapa skenës, bashkëlojtarëve dhe sidomos ju, tifozë, për kohën që e kemi ndarë së bashku dhe kujtimet që i kemi krijuar. Do t’u jem gjithmonë mirënjohës për kohën te Bayerni!”, ka qenë postimi i Sanes.

Sane, që ka 70 paraqitje për Gjermaninë, ka realizuar 61 gola dhe ka regjistruar 55 asistime në 220 ndeshje për Bayernin në të gjitha garat.