Futboll

FSHF-ja nuk ia vazhdon kontratën trajnerit të kritikuar nga sulmuesi i Juves

Andrea Tedesco

Andrea Tedesco, nuk do të jetë më trajner i ekipit U17 të Shqipërisë.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka njoftuar të hënën se, nuk ia ka vazhduar kontratën trajnerit italian.

“Federata e Futbollit e falënderon Tedescon për përkushtimin dhe punën e bërë në krye të Kombëtares U17. Tedesco e drejtori ekipin kuqezi në 14 ndeshje, 6 prej të cilave ishin miqësore”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.

Nën drejtimin e trajnerit italian, Shqipëria U17 pati paraqitje të zbehtë në Kampionatin Evropian të futbollit. Paraqitja e zbehtë u përjetua edhe më rëndë pas deklaratës së lojtarit 17-vjeçari që është pjesë e Juventusit.

Shqipëria U17 e mbylli pa asnjë gol të shënuar Evropianin për futbollistët deri në 17 vjet, që u zhvillua në Shqipëri. I humbi tri ndeshjet me rezultat 4:0. Kuqezinjtë pranuan plot 12 gola dhe nuk realizuan asnjë. Durmishi, kishte thënë se fajtor për humbjet e thella nga Franca, Portugalia dhe Gjermani ishte trajneri italian, Tedesco. Durmishi kishte thënë se Shqipëria U17 ka lojtarë cilësorë, por sipas tij, Tedesco “nuk di se çfarë të bëjë me këta lojtarë të fortë”.

Sulmuesi Durmishi nuk arriti të shënojë asnjë gol për Shqipërinë U17 në Evropianin që u zhvillua në Shqipëri.