Fitorja 4:0 e Zvicrës ndaj Kosovës ishte edhe fitore e Murat Yakinit ndaj Franco Fodas.
Vlerësohet se në aspektin taktik, Zvicra ishte dominante ndaj Kosovës. Gazeta e madhe zvicerane, “Blick”, ka bërë një analizë lidhur me këtë.
“Blick” ka shkruar se Yakini ishte i pamëshirshëm ndaj Fodas.
Granit Xhaka sërish kishte më së shumti prekje të topit në fushë. Por ideja ishte që Zvicra ndaj Kosovës të luante me topa të gjatë, ndërkohë që Xhaka dukej sikur e kërkon topin vazhdimisht. Dhe kjo ka “ndezur”.
“Topat që Xhaka nuk i preku janë po aq të rëndësishëm për lojën zvicerane. Ishte rënë dakord që Kobel të mos ia pasonte topin kapitenit, por të dërgonte topa të gjatë përpara. Ajo që zakonisht lind nga nevoja, topat e gjatë, këtë herë janë truk taktik me të cilin Murat Yakin e tejkalon pa mëshirë trajnerin e Kosovës, Franco Foda”, ka shkruar “Blick”.
Yakini ka pranuar se me topa të gjatë është luajtur qëllimshëm.
Fabian Rieder dhe Ruben Vargas ishin shumë të rëndësishëm për këtë mënyrë të lojës së Zvicrës.
“Është një truk i thjeshtë që çuditërisht e ka befasuar shpesh Kosovën. Për shembull në golin për 3:0 nga Silvan Widmer”, shkruan tutje në analizën e gazetës zvicerane.
Yakini po ashtu ka konsoliduar qendrën dhe ka lejuar Dan Ndoyen të ketë duele shpejtësie në krahun e majtë. Po ashtu Yakini ka lejuar Widmerin, mbrojtësin e krahut të djathtë, që të lëvizë drejt zonës së Kosovës.
“Duket si një plan që në fakt mund të sigurojë një biletë për Kupën e Botës. Megjithatë plani është i favorizuar nga Kosova që demonstroi me forcë pse renditet vetëm e 95-ta në botë”, shkruan tutje gazeta zvicerane.