Në Zvicër kishin bërë bujë deklaratat e Granit Xhakës pas një ndeshje me Kosovën në vitin 2023. Kapiteni i Zvicrës kishte folur për kushtet jo më të mira të përgatitjes së përfaqësueses helvetike për ndeshjet kualifikuese.
Por ato kritika i kanë bërë mirë përfaqësueses së Zvicrës në futboll. Për këtë foli edhe selektori Murat Yakin në një intervistë për “Blick” që e dha pas shortit për Botërorin 2026.
Pas kritikave të Xhakës, Yakini u përfshi më shumë në planifikimin e udhëtimeve dhe caktimin e vendeve ku do të përgatitet përfaqësuesja. Dhe Zvicra u kualifikua në një tjetër ngjarje të madhe – Botërorin në SHBA, Meksikë e Kanada.
“Kundërshtimi i Granitit pas ndeshjes me Kosovën në shtator 2023 luajti rol në këtë. Në atë kohë, ai me të drejtë u ankua për fushat e dobëta të stërvitjes gjatë përgatitjeve për ndeshje. Dhe e dija që duhet ta merrja përsipër këtë çështje deri në detajet e fundit. Lojtarët tanë janë mësuar me kushtet më të mira të mundshme dhe duhet t’i kenë ato edhe me ekipin përfaqësues”, ka thënë Murat Yakin.
Në intervistën e gjatë ai foli për tema të shumta, kryesisht për Botërorin e vitit të ardhshëm.
Zvicra e siguroi kualifikimn në Botëror pikërisht në ndeshjen me Kosovën në Prishtinë. Pas ndeshjes lojtarët e Zvicrës kanë festuar gjatë në hotel. Yakini është pyetur edhe për këtë.
“Shumica shkuan në shtrat menjëherë pas orës 4 në mëngjes. Por unë kam dashur ta përfundojë cigaren time. Është shumë e mundshme që unë ndoshta u largova i fundit”, ka thënë Yakin.
Ai ka çmuar kontributin e Xhakës për të ruajtur shpirtin ekipor në përfaqësuese.
Yakini vlerëson se falë përfaqësueses helvetike është bërë trajner më i mirë. Yakini ka përfituar shumë edhe nga Xhaka.
“Lojtarët kyç, Granit Xhaka, Manuel Akanji ose Remo Freuler janë shumë kërkues. Kontribuojnë dhe kemi një shkëmbim intensiv. Xhaka si kapiten, mënyra se si e frymëzon ekipin, është gjëja që duhet të mendosh së pari. E vëren këtë që nga stërvitja e deri te hierarkia e tavolinës në darkë”, ka thënë selektori i Zvicrës.
Ndonëse 33-vjeçar, Xhaka po bëhet lojtar gjithnjë e më i mirë. Këtë e di edhe Murat Yakin.
“Mendoj se titulli dhe kupa në Gjermani me Leverkusenin solli diçka të re tek ai. Një ndjenjë të merituar kënaqësie. Dhe kjo nuk e ka bërë atë më pak të etur për suksese edhe më të mëdha. Përkundrazi”, ka thënë Yakin.
Xhaka do ta udhëheqë Zvicrën edhe në Botërorin e verës së ardhshme.