Futboll

Franco Foda: Dëshpërimin e kemi kaluar, synojmë fitore me Suedinë

Franco Foda

Selektori i Kosovës në futboll, Franco Foda, është shprehur optimist për sukses në ndeshjen ndaj Suedisë.

Ndeshja Kosova – Suedia zhvillohet të hënën nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri” dhe vjen në një moment të vështirë. Kosova të premten pësoi 4:0 në udhëtim nga Zvicra në nismë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Të dielën në konferencë për shtyp, Foda fillimisht foli për goditjen e rëndë të pësuar në Basel.

“Ishim të vetëdijshëm që Zvicra ka ekip shumë të fortë. Duke ditur se Zvicra ka ekip të fortë, nuk është e thënë që me një ndeshje mbyllet gjithçka. Ne nuk kemi mundur ta zbatonim mënyrën tonë të lojës. Në pasime nuk ishim precizë. Në mbrojtje kemi bërë gabime. Në pjesën e dytë kemi luajtur pak më mirë”, ka thënë Foda. 

Tekniku gjerman ka thënë se janë analizuar gabimet e bëra dhe se janë marrë masat që ndaj Suedisë paraqitja të jetë dukshëm më e mirë.

Në fakt në aspektin individual, Suedia ka lojtarë më të mirë se Zvicra. Ndër të tjera, ka yje të Premier Leagues.

Suedia të premten luajti 2:2 me Slloveninë në Lubjanë. Foda e ka përmendur fitoren si synim për ndeshjen me suedezët.

“Dje kemi analizuar shumë mirë gabimet e ndeshjes me Zvicrën. Kemi analizuar secilin gabim. Jam shumë i bindur se kundër Suedisë do të kemi paraqitje shumë më të mirë. E dimë që do të jetë ndeshje me shumë intensitet, me presion të lartë. Do të ketë duele një kundër një në gjithë fushën. Do të gjejmë zgjidhje. Jemi në shtëpi dhe dëshirojmë t’i kënaqim tifozët, ‘Dardanët’, njëjtë si në ndeshjet e kaluara që i kemi fituar”, ka thënë selektori Foda. 

Ai ka theksuar se nuk do të ndryshonte asgjë në formacionin për ndeshjen ndaj Zvicrës, edhe nëse do të kishte mundësi.

“Nuk do të ndryshoja asgjë nga ekipi që luajti me Zvicrën. Të gjithë ishim shumë të bindur. I njëjti ekip luajti ndaj Islandës në të dy ndeshjet. Vetëm dy ndryshime ishin, Jashari e zëvendësoi Rashicën, Avdullahu luajti në vend të Berishës. Të gjithë ishim të kënaqur me atë ekip që luajti shumë mirë”.

Ndaj Suedisë telashet për Fodan do të jenë edhe më të mëdha. Kapiteni Amir Rrahmani mungon për shkak të një lëndimi të pësuar në ndeshjen e së premtes në Basel. 

Por përzgjedhësi i Kosovës thotë se ka në dispozicion mbrojtës për ta zëvendësuar Rrahmanin.

“Amir Rrahmani është ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Mungojnë edhe Rashica, Hadërgjonaj, Zhegrova që po ashtu janë të rëndësishëm. Si kapiten dhe lider i ekipit, Rrahmani do të na mungojë. Na mbetet të gjejmë zgjidhje të tjera dhe mendoj se kemi mjaftueshëm mbrojtës për ta zëvendësuar kapitenin”, ka theksuar Foda.

Përzgjedhësi i “Dardanëve” ka thënë se e kanë analizuar edhe ndeshjen ndaj Suedisë. Ka përmendur lojtarët cilësorë që ka Suedia, sidomos në sulm. Foda ka pranuar se Suedia është favorite, ndërsa ka shtuar se e rëndësishme është që Kosova të luajë ndryshe në krahasim me pjesën e parë të ndeshjes me Zvicrën.

“Në pjesën e dytë kemi luajtur shumë mirë dhe duam të luajmë atë ndeshje me Suedinë. Jemi në shtëpi dhe do të bëjmë çmos që ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Franco Foda.

Ai ka treguar edhe mënyrën se si luan Suedia dhe ku është më e rrezikshme. Për gazetarët ka folur edhe për rëndësinë e ruajtjes së balancës në fushë.  

Foda ka folur disa herë në konferencë për ndeshjen ndaj Zvicrës, duke pranuar se të gjithë në përfaqësuese ishin të dëshpëruar, sidomos me pranimin e plot katër golave brenda një pjese. 

Në fund Franco Foda ka folur për punën e tij të Kosova dhe vendimin që të mbetet selektor në vend se ta pranojë ofertën nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Kur e mora vendimin që të jem trajner i Kosovës, ishte vendim me gjithë zemër. Unë jam trajner i Kosovës me shumë dëshirë. Jam më se i bindur se kjo Kombëtare është zhvilluar shumë. Jam i vetëdijshëm që kemi një grup shumë të vështirë. Jam i vetëdijshëm që mund të mos kualifikohemi tutje. Unë e mora vendimin me zemër. Unë ndihem shumë mirë dhe shpresoj se do të jem shumë gjatë këtu”.

Me fitore, Kosova do të kthehej në garë për kualifikim. Me humbje, Botërori do të mbetej ëndërr e largët.