Federata e Futbollit e Turqisë (TFF) i ka suspenduar të premten plot 149 gjyqtarë, të cilët janë akuzuar për bastvënie në ndeshje futbollistike.
Në njoftimin e TFF-së thuhet se komiteti disiplinor u ka dhënë gjyqtarëve të futbollit suspendime prej tetë deri në 12 muaj.
Ndërkohë, ka njoftuar se hetimet janë duke vazhduar edhe për tre gjyqtarë të tjerë.
Hetimi i Federatës turke ka përfshirë gjithsej 571 gjyqtarë të futbollit në ligat profesionale të Turqisë.
Në lajmin që është shpërndarë të hënën në media të ndryshme evropiane, është thënë se 371 prej këtyre gjyqtarëve kanë pasur llogari të bastvënieve sportive, ndërsa 152 prej tyre kanë qenë aktive. Dhe kjo u vlerësua e papranueshme për federatën turke.
“Referimi është profesion i nderit”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Turqisë, Ibrahim Haciosmanoglu, të premten.
Ai ka shtuar se nuk do të bëjnë kompromis me parimet e drejtësisë, ndershmërisë dhe besimit në futbollin turk. Haciosmanoglu ka theksuar po ashtu se ky proces do të jetë pikë kthese për futbollin turk.
“Kufijtë e shenjtë të futbollit nuk janë fushë lojërash për përfitime personale të askujt. Çdokush që e njollos atë nder, nuk do të jetë më kurrë i përfshirë në futbollin turk. Askush nuk do të gjejë qetësi derisa ta pastrojmë futbollin turk nga marrëveshjet korruptuese dhe rrjetet e tyre. Ky nuk është paralajmërim, por është pikë kthese. Qëllimi i të gjithëve është që ta ngremë futbollin turk në nivelin që e meritojmë të gjithë”, ka theksuar Haciosmanoglu.
TFF-ja ka thënë të hënën se shtatë gjyqtarë kryesorë të ndeshjeve dhe 15 asistentë, të përfshirë në bastvënie, punojnë në elitën e futbollit turk.
Dhjetë prej gjyqtarëve të dënuar nga TFF-ja kanë bërë më shumë se 10 mijë bastvënie, ndërsa vetëm njëri prej tyre ka vënë bast 18 mijë e 227 herë. 42 gjyqtarë të tjerë kanë vënë baste në mbi 1.000 ndeshje të futbollit, ka treguar në detaje kryetari i Federatës turke të futbollit, të premten.
Ende nuk janë dhënë detaje të tjera. Për shembull, nëse ndonjëri prej këtyre gjyqtarëve ka vënë bast në ndeshjet që vetë i ka gjykuar.
Një hetim ka nisur edhe nga zyra e prokurorit publik të Stambollit.
Kryetari i federatës turke, Haciosmanoglu, nuk ka lënë pa i përmendur gjyqtarët e tjerë, të cilët i ka vlerësuar të ndershëm.
“Ne do të vazhdojmë ta menaxhojmë ligën me vëllezërit dhe motrat që punojnë ndershëm në këtë sistem dhe e përfaqësojnë drejtësinë me punën e tyre të madhe. Ne do t’i përkrahim ata gjyqtarë, të cilët i përmbushin detyrat me përpikëri”.
Futbolli në Turqi viteve të fundit është goditur shumë edhe nga incidente të ndryshme, por edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve.
Prej personave më të zëshëm ishte trajneri Jose Mourinho, që për një kohë e drejtoi Fenerbahçen.
“Ne nuk po luajmë kundër ekipit kundërshtar, por po e luftojmë sistemin. Dhe lufta ndaj sistemit është gjëja më e vështirë. Para se të vija në Turqi kam dëgjuar për të tilla raste, por nuk e kam besuar. Por pasi erdha, gjendja ka qenë më e keqe sesa që kisha dëgjuar. Kam pasur ankesa nga njerëzit e Fenerbahçes që më sollën këtu. Ata më treguan gjysmën e së vërtetës dhe e fshehën tjetrën. Nëse do të dija çdo gjë, nuk do të vija këtu”, kishte thënë para një viti tekniku portugez.
Deklaratat e portugezit kanë qarkulluar edhe në rrjetet sociale, ndërsa shumë adhurues të futbollit kanë thënë se Jose kishte të drejtë.