Futboll

Dhuna në Deçan, tjetër goditje nga brenda për futbollin kosovar

Pamje nga dhuna në ndeshjen Deçani - Prizreni

Duhej të ishte një ndeshje e zakonshme futbolli, por vetëm e tillë nuk ishte. Deçani – Prizreni, e zhvilluar në fundjavën e kaluar, u ndërpre për shkak të dhunës dhe skenave të turpshme. Ndeshja i takonte xhiros së dytë të Ligës së Dytë të Kosovës në futboll, përkatësisht nivelit të tretë.

Larg syve të opinionit, në Ligën e Dytë dhe ligat e tjera të niveleve të ulëta dhe te kategoritë e reja, ka skena dhune herë pas here. Shumica e rasteve kalojnë pa “u bërë të mëdha”.  Kalohen disi në heshtje. Por jo edhe rasti i fundjavës në Deçan.

Klubi prizrenas publikoi incizimin e asaj që ndodhi. Dhe pamjet vlerësohen të papranueshme për një ndeshje futbolli dhe tjetër goditje e rëndë për FFK-në, futbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi.

Kishte shtyrje e më pas kapje për flokësh të një lojtari të Prizrenit.  Më pas ndërhyrje të denjë për sporte luftarake, nga prapa, ndaj një lojtari tjetër. Goditje të tij në kokë e goditje me top nga tjetër lojtarë. Më pas tollovi.

Hyrje të portierit rezervë të skuadrës vendase që tërheq një lojtar të ekipit mysafir, të ndëshkuar me të kuq. Më pas goditje të lojtarit të Prizrenit ndaj portierit deçanas.

Pamje nga dhuna në ndeshjen Deçani - Prizreni

Por kjo nuk ishte e tëra. Filloi një rrahje mes lojtarëve ku u përfshinë nga të dyja palët. Shishet “fluturonin nga tribuna”. Derisa hedhjet nga tribunat nuk ndaleshin dhe tollovia sa shkonte e rritej, në fushë depërtuan edhe shikuesit. Sulmi ndaj lojtarëve të Prizrenit po bëhej gjithnjë e më masiv. Shihen tifozë duke goditur lojtarët e ekipit mysafir, njëri prej tyre derisa ishte i rrëzuar.

Nga pjesa prapa portës vrapon një tjetër person. I afrohet një lojtari të Prizrenit dhe fillon ta godasë. E godet disa herë dhe fillon ndjekjen e lojtarit në fushë, ndonëse duket se pa asnjë provokim e pa asnjë arsye.

Në gjithë këtë tollovi dhe skenë dhune shihet vetëm një polic. Në një rast shihet duke tentuar të ndalë tifozët. Më pas, i paforcë, duke qëndruar në mesin e fushës.

Të martën u publikua videoja dhe kjo ngjalli reagime. Federata e Futbollit e Kosovës, që është përgjegjëse për mbarëvajtjen e garave, “dënoi fuqishëm incidentin e ndodhur”.

Sipas FFK-së, sjelljet josportive fillimisht u shfaqën nga lojtarë të Deçanit e më pas nga një lojtar i Prizrenit.

“Edhe më shqetësuese ishte përshkallëzimi i situatës, ku përleshja mes futbollistëve në fushë u përkeqësua me përfshirjen e personave civilë, të cilët sulmuan futbollistët e klubit prizrenas”, thuhet në një reagim të FFK-së.

Si zakonisht, Federata shkroi se nuk do të tolerojë dhunën në futboll. FFK-ja ka paralajmëruar masa ndaj të përfshirëve. Në fakt do të dënohen disa lojtarë e potencialisht edhe klubi nikoqir. Por gjithë ata shikues, që ndeshjen e futbollit e shndërruan në arenë për shfaqje të agresivitetit, do të shpëtojnë pa dënime.

Policia, ndonëse përgjegjëse për të ofruar siguri në ndeshje, nuk mori përgjegjësi. Ndeshjet e futbollit dhe të sporteve të tjera nuk lejohet të fillojnë pa praninë e mjaftueshme të policisë. Kjo nuk  u respektua në Deçan dhe për këtë përgjegjës janë edhe zyrtarët e ndeshjes.

Policia e rajonit të Pejës ka thënë se është njoftuar me vonesë.

“Është njoftuar Policia e Kosovës me vonesë. Hetimet po kryhen, jemi në mbledhjen e provave. Janë shikuar edhe kamerat. Është njoftuar edhe prokurori që po merret me rastin”, ka thënë Fadil Gashi nga Policia e regjionit të Pejës.

Klubi Prizreni të hënën doli me një reagim zyrtar. Prizrenasit ishin duke udhëhequr 1:0, kur ndeshja u ndërpre, në minutën e 90-të.

“FC Prizreni reagon ndaj dhunës se ashpër të shkaktuar nga lojtarët e KF Deçani dhe futjes në fushë të shikuesve duke sulmuar fizikisht me grushte dhe shqelma lojtarët tanë. Vlen të përmendet edhe mosreagimi i Policisë së Kosovës dhe mosintervenimi i tyre në marrjen e masave ndaj lojtarëve të KF Deçani dhe shikuesve që u futën në fushë dhe pamëshirshëm sulmuan fizikisht lojtarët dhe stafin teknik të FC Prizreni. Përshkallëzimi i gjendjes filloi pas shënimit të golit nga ana e FC Prizreni në minutën e 86-të, ku gjatë festimit të golit nga ana e lojtarëve tanë shikuesit nga tribunat filluan të gjuanin me shishe të forta”, shkruan në reagimin e Prizrenit.

Sipas Prizrenit, në stadium ishin vetëm dy policë. Klubi prizrenas pretendon se policët as që kanë kërkuar forca shtesë apo ndihmë pas dhunës së shfaqur.

Pamje nga dhuna në ndeshjen Deçani - Prizreni

Duket pak e besueshme, por Deçani thotë se ka organizuar ndeshjen në “mënyrë të përkryer”.

Te Deçani pretendojnë se janë provokuar nga lojtarët dhe përfaqësuesit e klubit kundërshtar. Deçani vlerëson se edhe arbitrat nuk ishin në krye të detyrës dhe vazhdimisht kanë anuar kah Prizreni.

“Pas golit i gjithë ekipi kundërshtar vërsulet drejt bankës rezervë të klubi tonë, duke na u drejtuar me sharje e fyerje me fjalët më të pista dhe duke bërë skena të pahijshme drejt tifozëve të klubit tonë”, ka shkruar Deçani.

Sipas këtij klubi, situata përshkallëzoi vetëm pasi lojtari i Prizrenit goditi “fuqishëm në fytyrë” portierin rezervë të Deçanit. Hyrja e lojtarit rezervë në fushë për të tërhequr drejt autit lojtarin kundërshtar, edhe nëse ai është i përjashtuar, nuk lejohet. Natyrisht e papranueshme është edhe goditja nga ana e lojtarit.

“Në fushë hynë edhe disa tifozë të klubit tonë të cilët largohen nga Policia e Kosovës. Lojtarët e Deçanit i largojnë tifozët nga fusha duke i mbrojtur lojtarët kundërshtarë”, ka shkruar tutje Deçani.

Deçani pretendon se ndeshja u ndërpre për shkak se Prizreni refuzoi të luante e jo për shkak të dhunës. Në fakt pas skenave të tilla vazhdimi i ndeshjes do të ishte  gabimi më i madh i mundshëm, edhe nëse tifozët nuk do të ishin prezentë.

Tani priten vendimet e komisioneve të FFK-së. Dënime do të ketë. Por, pas pak ditësh apo maksimalisht javësh edhe kjo ngjarje do të harrohet. Sidomos kur futbolli kosovar të pësojë goditjen tjetër nga “brenda”. Të tilla merr shpesh.

VIDEO: