Futboll

De Bryne tregon pse e zgjodhi Napolin

Kevin De Bruyne

Mesfushori belg, Kevin De Bruyne, ka treguar pse vendosi që t’i bashkohej kampionit në fuqi të Italisë, Napolit.

De Bruyne debutoi me gol të shtunën në ndeshjen hapëse të edicionit 2025/26 në Serie A. Napoli e nisi mbrojtjen e titullit duke e mposhtur në udhëtim Sassuolon me rezultatin 2:0.

34-vjeçari De Bruyne në një intervistë për “Corriere della Sera” theksoi se para se të vendoste për Napolin ka pasur edhe shumë oferta tjera. Një prej arsyeve pse zgjodhi napolitanët është se luajnë në Ligën e Kampionëve.

“Ishte opsioni më i mirë. Kishte shumë oferta, por unë zgjodha kampionët italianë. Napoli luan në Ligën e Kampionëve dhe Antonio Conte është një trajner i mrekullueshëm. Kur je i ri vendos vetë, por tani i kam pyetur edhe fëmijët e mi. Më i madhi është 10 vjeç, është një fazë e rëndësishme e rritjes së tij”, u shpreh ylli belg i futbollit.

De Bruyne Napoli iu bashkua si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Manchester Cityn. Pjesë e klubit ku luan edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, do të jetë deri në vitin 2027.