Futboll

Daku i shtrenjtë për Lokomotivën e Moskës

Daku

Drejtuesit e Lokomotivës së Moskës, kanë deklaruar se nuk po e shqyrtojnë mundësinë e transferimit të sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, për 10 milionë euro.

Drejtori i Lokomotivës, Vladimir Leonchenko, ka thënë se, nuk janë të gatshëm të shpenzojnë 10 milionë euro për Dakun.

“Ne e hedhim poshtë menjëherë”, ka thënë Leonchenko, raporton “rusfootball.info”.

Gjatë afatit kalimtar të dimrit, disa mediume ruse raportuan për interesimin e Lokomotivës për sulmuesin e Rubin Kazanit. Megjithatë, transferimi nuk u realizua.

Për interesimin e skuadrave të ndryshme, ka folur të mërkurën edhe babi i Mirlindit, Fehmi Daku. 

“Rubin Kazani ka pranuar oferta për Mirlindin, por të gjitha diskutimet do të zhvillohen pas ndeshjeve ndërkombëtare të shteteve. Djali im do të diskutojë gjithçka me klubin pasi të kthehet nga ekipi kombëtar i Shqipërisë”, ka thënë Fehmi Daku për sajtin rus “Sport 24”.

Daku është ftuar te Shqipëria për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Serbisë më 7 qershor dhe Letonisë më 10 qershor.  

Daku e mbylli sezonin me 15 gola dhe tetë asistime.