Klubi rus i futbollit, Rubin Kazan, ka publikuar një video prej 20 minuta me imazhet e Mirlind Dakut para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së dytë të kampionatit rus kundër Akronit, të shtunën.
Në video shfaqen goli, lotët, përqafimi dhe fjalimi i Dakut para bashkëlojtarëve dhe trajnerëve të Rubin Kazanit në dhomat e zhveshjes.
Ishte ndeshja e fundit e Dakut me fanellën e Rubin Kazanit. Ai shënoi gol në fitore, ndërsa ka dy gola në dy ndeshjet e para kampionale.
Pas ndeshjes Dakut është ngritur lartë nga bashkëlojtarët, ndërsa i kishte sytë me lot.
Sytë me lotë i kishte edhe pasi përfundoi fjalimin para bashkëlojtarëve dhe trajnerëve të ekipit nga Kazani.
Edhe
Përshëndetja emocionale e Dakut me Rubin Kazanin, mësohet skuadra e tij e re
“Faleminderit shumë për këto tri sezone që kemi kaluar së bashku. E di që vij nga një ligë më modeste se kjo e Rusisë dhe do të doja të falënderoja të gjithë futbollistët rus që na bëjnë ne të huajve të ndihemi si në shtëpi këtu. Nuk di çfarë tjetër të them... Është e vështirë për mua, por është pjesë e jetës dhe është e rëndësishme të ruajmë gjithmonë marrëdhëniet që kemi. Faleminderit shumë”, tha Daku në videon e publikuar të dielën.
Mediumet ruse e bëjnë punë të kryer kalimin e tij te Spartak Moska për 11 milionë euro.
Daku te Rubini është prej vitit 2023, ndërsa i ka shënuar 37 gola në kampionatin e Rusisë.
Sulmuesi është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
Te Rubini ishte lojtari më i mirë. Trajneri Frank Artiga, vlerësoi lart Dakun.
“Nuk e di saktësisht se çka do të ndodhë nesër apo gjatë javës, por shenjat janë goxha të qarta. Dhe pavarësisht se çka ndodh, Daku, pos që është lojtar i madh, është person shumë i dashur në zhveshtore. Ai është lojtar që i jep skuadrës shpirtin e duhur. E ka dërguar Rubinin në një tjetër nivel. Çka do të ndodh, i dëshirojmë fat”, ka thënë Artiga.
Edhe ish-trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, foli për sulmuesin kosovar.
“Mora përgjegjësinë për transferimin e tij. Thanë se ishte i padobishëm, se askush nuk kishte nevojë për të, edhe pasi gjithçka ishte vendosur. Në fund, e blenë për 1.2 milion. Ne folëm me presidentin e klubit Marat Safiullin dhe më në fund arrita ta bindja. Premtova se mund ta shisnim për 4-5 milionë euro. I jam mirënjohës presidentit që na ndihmoi dhe morëm vendimin e duhur”, ka thënë Rakhimov për mediumin rus “Sport”. “Mendoj se ai mund të luajë për Spartakun. Është çështje se si është trajtuar. Është e rëndësishme që trajneri të kuptojë se ai nuk është zëvendësues. Ai duhet të hyjë menjëherë në fushë dhe të gjejë ritmin. Mund të zëvendësohet në minutën e 70-të, por duhet të rimëkëmbet dhe të futet në lojë. Një lojtar me atributet e tij fizike dhe aftësitë e tij me topin do të jetë një aset për çdo ekip”.
Edhe
Daku kthehet me humbje në Kazan
Ish-lojtari i Lokomotivës së Moskës dhe Rusisë, Yuri Semin, tha se Spartaku “ka blerë lojtarin më të mirë të kampionatit”.
Ka pasur edhe njohës që e kanë vlerësuar jo të duhur për Spartakun. Por Daku tashmë po i bashkohet njërit prej ekipeve kryesore në Rusi.