Manchester City raportohet se e ka përfshirë mesfushorin shqiptar Ardon Jashari në listën e futbollistëve të cilët synon t’i transferojë gjatë verës. Madje gjiganti anglez tashmë ka kontaktuar për futbollistin.
Siç ka raportuar Florian Plettenebrg, gazetar i “Sky Sports” në Gjermani, pos Cityt mesfushori 22-vjeçar po monitorohet edhe nga Borussia Dormtund dhe Bayer Leverkusen.
“Mësohet se Manchester City e ka vënë Ardon Jasharin në listën e vet për verë. Sezon i shkëlqyeshëm për mesfushorin defansiv 22-vjeçar nga Club Brugge. Tashmë ka pasur kontakt me Manchester Cityn”, ka shkruar Plettenberg në rrjete sociale të martën.
Siç ka thënë ai, Jashari vlerësohet më shumë se 35 milionë euro.
Një ditë më parë, Jashari që luan te Club Brugge në Belgjikë, u zgjodh lojtari i sezonit. Reprezentuesi i Zvicrës luajti 52 ndeshje në këtë edicion, duke realizuar katër gola dhe duke asistuar gjashtë herë.
Me ekipin belg ka kontratë deri në vitin 2029.