Bujar Loci është emëruar selektor i Kosovës në basketboll. Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën Federata e Basketbollit e Kosovës. Loci e ka udhëhequr Kosovën edhe në vitin 2005 kundër Egjiptit dhe Rumanisë në turneun në Aleksandri.
Loci zëvendëson në postin e selektorit francezin, Jean-Denys Choulet, i cili ishte prezantuar më 11 nëntor të vitit të kaluar. Por siç mëson KOHA, Choulet, me marrëveshje të dyanshme, ka shkëputur kontratën me Federatën e Basketbollit e Kosovës. Trajneri francez me FBK-në kishte kontratë deri në vitin 2027.
Loci do ta udhëheq Kosovën në ndeshjen kundër Shqipërisë në parakualifikimet e “FIBA EuroBasket 2029”.
Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 30 nëntor nga ora 18:00 në Shkodër.
Në grupin C është edhe Sllovakia.