Një ditë pasi u emërua përzgjedhës i Kosovës në basketboll, Bujar Loci të enjten ka publikuar listën e zgjeruar për ndeshjen e parë parakualifikuese për “EuroBasket 2029” kundër Shqipërisë.
Kosova do ta zhvillojë më 30 nëntor ndeshjen kundër Shqipërisë.
Ndeshja zhvillohet në Shkodër dhe i takon grupit C. Në grup me Kosovën e Shqipërinë është edhe Sllovakia.
Në listën e gjerë të Locit janë 15 basketbollistë. Kosovës i kthehet amerikani i natyralizuar, Divine Myels, ndërsa për herë të parë me “Dardanët” bashkohen edhe dy basketbollistët e rinj, Rron Dahsyla dhe Erolt Rrahmani.
Myles, 29-vjeçar, luan për ekipin francez Alliance Sport Alsace. Rron Dahsyla te Vëllaznimi, kurse Rrahmani për Zlatorog Lashko të Sllovenisë.
Pjesa tjetër e basketbollistëve të ftuar kanë luajtur rregullisht për Kosovën.
“Këta 15 djem nuk janë thjesht basketbollistë - janë fjala Kosovë e shkruar me energji, guxim dhe shpirt. Çdo hap i tyre në parket mban peshën e vendit tonë, çdo frymëmarrje është zotim, çdo pikë është premtim se luftojnë vetëm për ne. Me krenari të thellë, me përgjegjësi që ndihet deri në palcë dhe me dashuri të pafund për fanellën që mbajnë, ata po përgatiten të japin gjithçka. Pa hezitim. Pa kompromis. Vetëm me zemër”, shkruan Federata e Basketbollit e Kosovës në njoftim të enjten.
Ndeshja ndaj Shqipërisë do të jetë debutuese për Locin në krye të Kosovës.
Trajneri pejan, Loci, e zëvendëson në postin e selektorit francezin Jean-Denys Choulet, i cili ishte në krye të Kosovës që nga nëntori të vitit të kaluar. Por, siç mëson KOHA, Choulet me marrëveshje të dyanshme ka shkëputur kontratën me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Trajneri francez me FBK-në kishte kontratë deri në vitin 2027. Nën drejtimin e francezit, Kosova e mbylli fazën e parë të parakualifikimeve evropiane për Botërorin 2027 me dy fitore e katër humbje. Ishte vetëm kampanja e radhës e pasuksesshme për Kosovën.
Lista e gjerë e Kosovës
Dardan Berisha
Drilon Hajrizi
Erjon Kastrati
Mikaile Tmusic
Divine Myles
Lis Shoshi
Gëzim Morina
Valon Bunjaku
Musab Mala
Muhamedali Janjeva
Dardan Kapiti
Meriton Ismaili
Erolt Rrahmani
Jon Ismajli
Rron Dahsyla